Vetëvarja, gruaja u vra nga i shoqi
Fatos Mahmutaj
“Vare veten me litarin e djepit”. Burri 44-vjeçar, Besnik Hasa, nuk ka hezituar aspak kur, pas “drurit” të radhës, i ka vënë në duar bashkëshortes mjetin me të cilin ajo duhet të vetëflijohej. Ndërsa më pas, duke menduar se nuk kishte të bënte aspak me ndonjë vepër penale, ia ka rrëfyer ngjarjen të atit dhe policëve, natyrisht duke menduar se ishte i pafajshëm dhe se gruaja “kishte shkuar atje ku ishte nisur”. Gjatë paradites së sotme, babai i tre fëmijëve të mitur, tashmë jetimë, më i madhi 12 vjeç e më i vogli vetëm 7 vjeç, pritet të përballet në gjykatë gjatë seancës gjyqësore për vendosjen e masës së sigurisë ndaj tij. Në bazë të rrëfimit të 44-vjeçarit të pandehur, Besnik Hasa; babait të tij Iliaz Hasa dhe provave të mbledhura në vendngjarje, ekspertët e kriminalistikës së policisë, kanë dalë në konkluzionin se më datë 6 janar, rreth orës 02:20, në banesën e saj është vetëvarur Elisabeta Hasa, për shkak të trajtimit të keq, sistematik të bërë nga bashkëshorti i saj. Ka rezultuar gjithashtu se Besnik Hasa, me origjinë nga Kukësi dhe banues në Bathore, si pasojë e dhunës së vazhdueshme, e ka detyruar gruan edhe më parë të largohet për disa ditë nga banesa si dhe të tentojë vetëvarjen.
Keqtrajtimi
Besnik Hasa ka deklaruar në polici se ai kishte rreth dy muaj e gjysmë që kishte konflikte me bashkëshorten e tij Elisabeta Hasa, pasi ishte bërë xheloz ndaj saj. Shkak për të cilin, kishte pirë pije alkoolike dhe e ka goditur atë me grushte dhe shpulla. Më 7 tetor 2008, ajo ishte larguar nga banesa së bashku me tre fëmijët e saj dhe kishte shkuar në Laç. Aty ka banuar te një plakë 65-vjeçare, ndërsa shkaku i largimit të saj nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga bashkëshorti Besnik Hasa. Pesë ditë më pas, më 12 tetor ajo është kthyer në banesë së bashku me fëmijët, duke pohuar se gjatë këtyre ditëve kishte qëndruar së bashku me fëmijët në Kishën e Shënanoit, si dhe nuk donte ta denonconte burrin për dhunën që ai kishte ushtruar ndaj saj. Që nga dita e kthimit të Elisabetës, Besniku ka ushtruar dhunë fizike, në disa raste duke e goditur me grushte dhe shpulla në pjesë të ndryshme të trupit, për shkak të xhelozisë, duke e keqtrajtuar në mënyrë të vazhdueshme. Ditën para krimit, më 5 janar, Besniku ka punuar në ndërtim në Borizanë të Krujës, dhe është kthyer në banesë rreth orës 14:00, i mërzitur dhe i stresuar. Pasi kanë darkuar rreth orës 22:00 kanë rënë për të fjetur; fëmijët në kuzhinë, ndërsa ai dhe bashkëshortja në dhomën e gjumit.
Krimi
Për shkak se nuk kishte pirë ilaçet e gjumit, Besnikun nuk e ka zënë gjumi dhe rreth orës 01:00 të 6 janarit, është ngritur nga krevati dhe ka zgjuar Elisabetën. Kjo është çuar menjëherë në këmbë. Pas kësaj ai i ka thënë: “Deshe të vrasësh veten! Merre tojën, (litarin) e djepit dhe varu”. Pas kësaj, ai ka kapur litarin e djepit që ndodhej pranë krevatit dhe ia ka hedhur asaj. Ajo e ka marrë litarin që i ka hedhur i shoqi dhe pa thënë asnjë fjalë ka hipur te parvazi i dritares së dhomës së gjumit, e ka lidhur tojën e djepit te kangjellat e dritares, ndërsa anën tjetër pasi e ka bërë lak, e ka vendosur në qafë dhe është hedhur jashtë. Besniku, megjithëse i ka parë të gjitha këto veprime të viktimës, që nga dhënia e litarit për t’u varur nuk ka reaguar. Pasi ajo është vetëflijuar, burri ka dalë nga dhoma e gjumit dhe ka hyrë në dhomën tjetër ku ka pirë një kafe. 10 minuta që nga momenti që u var gruaja, ai është kthyer në dhomën e gjumit dhe e ka parë atë të varur. Duke menduar se ajo ka vdekur, është larguar pa e prekur te shtëpia e të atit, e cila ndodhet 5 metër larg banesës së tij. Aty ka lajmëruar se Elisabeta kishte varur veten. Më pas ka lajmëruar policinë duke treguar gjithë ngjarjen.
Policia e arrestoi për dhunën që e çoi gruan në vetëflijim
TIRANE - Arrestimi i 44-vjeçarit Besnik Hasa u bë nga policia me akuzën se ai nëpërmjet dhunës së vazhdueshme ka detyruar bashkëshorten të vriste veten. Por hetimet paraprake të policisë së kryeqytetit, kanë nxjerrë si ai është personi që i ka dhënë litarin e djepit asaj për të kryer vetëflijimin. Madje një fakt të tillë ai e ka pranuar në momentin e arrestimit, duke pretenduar se meqë nuk e kishte prekur gruan, nuk kishte faj. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Tiranës, një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Bathore, thuhet se efektivët e Komisariatit numër 5, ndaluan 44-vjeçarin Besnik Hasa, lindur në Kukës e banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje. Sipas bluve, ndalimi i tij është bërë pasi rezulton të jetë autor i dyshuar i shkaktimit të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij, Elisabeta Hasa, 27-vjeç, e cila ka varur veten me një shall në dritaren e banesës së saj. Në vendin e ngjarjes u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërkohë, materialet e përpiluara në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë, si i dyshuar të ketë konsumuar veprën penale “shkaktim të vetëvrasjes”, parashikuar nga neni 99 i Kodit Penal. Ndihmë në zbardhjen e ngjarjes ka dhënë edhe i ati i të arrestuarit, Iliaz Hasa, i cili ka treguar të gjithë veprimet e Besnikut me gruan si dhe lëvizjet e saj të muajit teto,r kur ishte larguar nga banesa bashkëshortore si pasojë e dhunës së rëndë në mënyrë të vazhduar. fa.ma.