Hakerat vodhën 80 milionë lekë
Trazhgim Sokolaj
Prej mëse pesë vitesh në secilën nga grabitjet me armë të ndodhura në bankat e Tiranës, hajdutët nuk kanë arritur të marrin më shumë se 10 mijë euro.
Rasti me sasinë më të madhe financiare të grabitur, ka qenë 8 mijë euro në autostradë në gusht 2008, ndërsa precedentët e tjerë kanë mbetur në 5 mijë apo 3 mijë euro. Megjithatë, një grup të rinjsh që tashmë pritet të përballen me drejtësinë, pa armë, pa maska dhe pa përdorimin e dhunës, kanë arritur të vjedhin plot 80 milionë lekë nga bankat e ndryshme në Tiranë, Durrës, Fier dhe Vlorë. Është fjala për grupin prej 15 të rinjsh, të njohur si hakerat e bankomateve për nga mënyra si operonin gjatë kryerjes së krimit. Ata ranë në prangat e policisë gjatë një aksioni të zhvilluar në Tiranë në korrik 2008, ndërsa kapja dhe zbulimi i tyre do të evidentohej më pas nga zyrtarët më të lartë të Qeverisë si një nga arritjet e policisë për vitin që lamë pas. Banda e hakerave sipas hetimeve të Njësisë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës është drejtuar nga Endrit Gjergjani (Laro), një i ri i cili kishte grupuar rreth vetes disa bashkëmoshatarë të cilëve u shpërndante karta krediti të klonuara, me të cilat bëheshin tërheqje nga bankomatet. Dosja penale ndaj Gjergjanit dhe 14 anëtarëve të tjerë të bandës, përfshirë edhe babain e vetë kapos, është dërguar për gjykim pak ditë më parë. Në kuadër të hetimit për grupin e hakerave, Prokuroria zhvilloi një ekspertizë kontabël për të matur ligjërisht sasinë e parave, që hakerat kishin vjedhur gjatë gjithë aktivitetit të tyre, duke kryer mbi 400 tërheqje nga bankomate të ndryshme në qytetet kryesore të vendit.
Banda “Matrix”
Në mesin e vitit 2008 disa filiale të bankave të nivelit të dytë denoncuan në polici rastet e para të vjedhjes. Zbulimi ishte i thjeshtë. Pothuajse çdo ditë bëheshin tërheqje nga bankomatet në Tiranë, Durrës, Fier apo Vlorë, ndërkohë që llogaritë nga merreshin paratë u përkisnin shtetasve të ndryshëm nga vendet të Evropës dhe Kanadasë. Me anë të komunikimit në internet me hakera rusë dhe anglezë, kapoja i bandës së arrestuar gjatë aksionit “Matrix” blinte kodet dhe numrat serikë të kartave të kreditit, që u përkisnin shtetasve të ndryshëm evropianë apo kanadezë. Endrit Gjergjani kishte blerë një pajisje elektronike me anë të së cilës, të dhënat e marra nga hakerat rusë dhe anglezë i shkruante në karta krediti të boshatisura, që pasi klonoheshin ktheheshin në karta identike me ato që zotëronte pronari i vërtetë i llogarisë. Pas kësaj, Endrit Gjergjani i shpërndante kartat e klonuara tek anëtarët tjerë të grupit, të cilët kryenin më pas tërheqje nga bankomatet. Gjatë tërheqjeve të para me secilën prej kartave të klonuara, Endrit Gjergjani ndante mënjanë 500 dollarë nga paratë e përfituara dhe këtë shumë me anë të agjencive të posaçme ua transferonte hakerave rusë dhe anglezë të cilëve më parë u kishte blerë informacionin e kartave, që përdoreshin në Tiranë. Një skemë e tillë veprimi u konsiderua nga policia dhe prokuroria si mjaft e sofistikuar, ndërsa më parë ishin shënuar vetëm tentativa për skenarë të tilla vjedhjesh, por asnjë prej tyre nuk ishte realizuar.