OMGJ e ekraneve dhe sondazheve
Andis Harasani
Në nja dy periodikë shqiptarë, nga më të shiturit në vend, gjenden gjithmonë intervista të llojit: gazetari, çfarë ka ndryshuar në jetën tuaj tani që jeni bërë VIP, i/e intervistuari: jam bërë më i përgjegjshëm, por ruaj të njëjtën shoqëri që kam pasur më parë dhe kujdesem më ...shumë për pamjen time.
Gazetari është i kënaqur që ka mbushur faqen e periodikut që sidomos në verë arrin nivele rekord shitjesh, i/e intervistuara gjithashtu kënaqet me verifikimin e statusit të ri prej VIP-i. Në fakt ai/ajo gjithë-gjithë ka bërë një këngë, zakonisht me muzikë të vjedhur, me tekst që përmend një ose më shumë marka makinash luksi dhe një klip ku padyshim, makina është personazh kryesor dhe shfaqet gjithmonë pas dy-tre balerinave gjysmë të zhveshura. Të thuash që kjo është Shqipëria, është një ngushëllim i mangët, por të thuash që ka edhe një Shqipëri tjetër, një pikturë më "serioze" se karikatura qesharake e periodikëve të sipërpërmendur, nuk afrohet ndopak ngushëllim më shumë. Një nga lajmet e fundit të freskët në Atdhe, është edhe ai i ngjitjes së një maje të re nga drejtori i KESH-it, Gjergj Bojaxhi. Që ndryshe nga sa mund të pritet, nuk ndryshon shumë me VIP-at e muzikës me makina dhe balerina.
Alpinist për hobi, intelektual për nga formimi, partiak për nga shpresa dhe ambicia për të nesërmen, Bojaxhi e pa veten të zgjedhur si një nga personazhet domethënës të vitit që lamë pas. Madje edhe ca shkallë më lart se vetë kryetari i partisë së tij dhe kryeministri i vendit Sali Berisha. Vetë drejtori Bojaxhi aspiron për momentin vetëm kryesinë e degës lokale të PD-së për Tiranën, që e thënë ndryshe, garanton edhe një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie për zgjedhjet që janë në prag. Por rezultati i sondazhit dhe zgjedhja e tij në preferencat e shqiptarëve edhe përpara vetë Berishës, është një ogur i mbarë për shumë më shumë në të nesërmen e afërt. Në sondazh, në konkurrencë me kryeministrin ai mund dhe arrin të fitojë, edhe pse është vetëm një drejtor ndërmarrjeje, i emëruar jo vetëm me firmën, por dhe me bekimin e pashmangshëm të vetë kryeministrit. Berisha do të duhej të rrëqethej nëse do të mendonte qoftë dhe për një çast se çfarë do të ndodhte po të konkurronte me kanakarin e tij kokë më kokë.
Fati i mirë i Bojaxhiut është që shqiptarët e duan, që punët i ecin mbroth, që ka miqësi të shumta, edhe me ndërkombëtarë - dhe këtu nuk është fjala vetëm për Fazlliçin - ka fat që dimri i dha shi dhe dëborë për të nesërmen e nivelit të Fierzës, pra ka të gjithë ato elementë të nevojshëm për të synuar maja të reja. Maja me rripa në të cilat për të ruajtur drejtpeshimin duhen medoemos këpucë me thumba alpinistësh, sepse kurdoherë je i rrezikuar me shkarje këmbe.
Fatkeqësisht, jo gjithçka që shkëlqen mund të tregtohet si ar i pastër. Dhe nëse Bojaxhiu shkëlqeu me ngjyra të forta në sondazh, ky nuk është faji i tij, është faji i kohës që jetojmë, e cila gjithmonë e më tepër po shenjohet nga mentaliteti i periodikëve që prodhojnë VIP-a. Eshtë mëkati i përzgjedhjes së tij në një juri festivali kombëtar të muzikës së lehtë, ku do apo nuk do modestia detyrohet t´i lerë vendin bindjes së thellë se për sa kohë bëri drejtorin e KESH-it, mund të bëjë dhe kompozitorin, kritikun e artit dhe degustatorin e shijes së publikut. Në juri përzgjedhjeje gjelash deti, ishte, sa për të marrë një shembull, edhe ministri i Bujqësisë. I cili njëlloj si personazhi ynë, fryhej edhe më shumë se vetë gjeli fitues sa herë që fishkëllente "bilbili" i kamerave që e xhironin. Pra, kur je përzgjedhës këngësh, pse të mos ia marrësh me vete dhe një marshi triumfi?
E mbas këtij momenti, ashtu si dhe më parë i shtyrë, i fryrë dhe i nxitur nga kryeministri, është fare e lehtë të shtrohet rruga që ky personazh të dalë të flasë për historinë, rishkrimin e saj, për betonin dhe pemët e mbjella nëpër Tiranë, për mjedisin, energjinë bërthamore, parqet energjetike, luhatjet e bursës, për recetat e shpëtimit të botës nga recesioni ekonomik e kështu me radhë. Kaq mjafton për të plotësuar teknologjinë e krijimit të një personazhi që nesër shqiptarët t´i besojnë më shumë, që shqiptarët ta lejojnë të shkojë më lart.
Në SHBA, kur qytetarët vendosin të mos shpenzojnë më, i vendosin kartat e kreditit në frigorifer, tek ne kartat e mundshme të kreditit të nesërm politik i fusim në inkubatorë apo në sera dhe sipas rastit, lulëzojnë zarzavate a lule siç ndodhi me Lulëzim Bashën apo dhe zogj pule sqeppalodhur, siç mund të ndodhë me ndokënd tjetër.
Nuk ka pikën e rëndësisë që drejtori alpinist, në vendin e tij të punës për të cilin paguhet nuk ka më në dorë as të firmosë dietat e shoferëve të KESH-it, nuk ka rëndësi që nuk menaxhon më as shpërndarjen dhe as transmetimin e energjisë. Nuk ka pikën e rëndësisë që ka qenë absolutisht drejtori më i suksesshëm i kësaj kompanie shtetërore që ka mundur ta fusë atë në gjendjen më të rëndë financiare që nga dita e krijimit; e rëndësishme është dukja. Në këtë botë të formës, thelbi nuk është asgjë!
Për të shmangur çdo keqkuptim për shkak të përmendjes me emër të drejtorit të KESH-it, por dhe për ta parë shumë më gjerë fenomenin e serave dhe inkubatorëve - KOP-i i dikurshëm ishte një i tillë - fatkeqësisht Shqipëria mund të ballafaqohet rishtas me eksperimente të tilla. Që afrojnë prodhimin OMGJ të ekraneve, por dëmtojnë pafund konsumatorin e etur shqiptar për politikë dhe shërbesë nga politika. Dhe në vend të saj, bën sikur merr për ar atë që shkëlqen dhe sidomos në verë, lexon faqe periodikësh me VIP-a që stonojnë në tralalatë e rëndomta me muzikë të vjedhur.