Tiranë, policia bllokon redaksinë e gazetës “Tema”
TIRANE - Policia e Tiranës urdhëroi dje në mbrëmje bllokimin e redaksisë së gazetës "Tema". Në orët e darkës disa efektiva policie janë shfaqur pranë ambienteve ku ndodhet gazeta dhe kanë urdhëruar bllokimin e tyre. Forcat e policisë, të cilat kanë marrë kontakt me drejtuesit dhe punonjësit e gazetës, u kanë kërkuar atyre të lirojnë ambientet e zëna, pasi ato do të vihen në përdorim për një qëllim tjetër të përcaktuar me vendim qeverie. Drejtuesve të gazetës mësohet se prej disa kohësh u kishin mbërritur shkresa lajmëruese nga Ministria e Brendshme për lirimin e ambienteve. Pasi kanë marrë dijeni për këto veprime, përfaqësuesit e gazetës kanë bërë padi në Gjykatë, pasi afati i përdorimit të ambienteve prej tyre, sipas kontratës së dhënies me qira, ishte 20 vjet. Gjykata e Tiranës ende nuk është shprehur në lidhje me këtë konflikt por paraprakisht ka vendosur që në objekt dhe në ambientet për të cilat bëhet fjalë, të mos ndodhë asnjë ndryshim nga gjendja e çastit kur është bërë padia, deri në kohën kur togat e zeza do të shprehen me vendim pasi të shqyrtojnë kërkesat e palëve si dhe argumentet e tyre. Nxjerrja e gazetës nga ambientet ku ndodhet aktualisht, në mënyrë zyrtare është argumentuar me faktin se ambienti duhet liruar, pasi është pjesë e objektit ku do të prodhohen kartat e identitetit, ndaj ka rëndësi të veçantë shtetërore. t.s