Kamëz, miqtë e të kërkuarit “rrahin” forcat e policisë
TIRANE- Katër persona, miq të një të kërkuari, përleshen me policinë në Kamëz, pas ndërhyrjes së uniformave blu tek palët, që po grindeshin me personin që kishte denoncuar të kërkuarin nga policia. Nga burime zyrtare mësohet se policia ka arrestuar personat që ushtruan dhunë, pas thirrjes për ndihmë nga patrulla, që nuk arriti të vinte rregull në lokalin “Omega”, në pronësi të Halim Kuçit. Bafti Nerguti, 20 vjeç, Agim Muça, 21 vjeç, Arben Velaj, 32 vjeç dhe Afiz Taçi, 22 vjeç, të gjithë nga Kukësi dhe banues në Bathore, janë arrestuar nga policia e Komisariatit nr.5, në Kamëz me akuzën e fyerjes dhe goditjes për shkak të detyrës në bashkëpunim ndaj policisë. Dy efektivë të patrullë së Përgjithshme kishin mbërritur në lagjen nr.7, pasi ishin njoftuar nga salla operative se në këtë zonë kishte një konflikt. Halim Kuçi 47 vjeç, kishte lajmëruar policinë se një grup personash në lokal po konfliktoheshin me të. Shkak për ngjarjen mësohet se është bërë një konflikt i vjetër i një shoku të tyre me familjen Kuçi. Sipas burimeve të policisë, i kërkuar për shkak të konfliktit kishte tentuar të përplaste qëllimisht me autoveturë bashkëshorten e Kuçit. Për këtë shkak ai është shpallur në kërkim nga policia. Të mërkurën katër personat mendohet se kanë shkuar në lokalin e Kuçit, për të ushtruar presion ndaj tij, ndërsa ai ka lajmëruar policinë. Por pas mbërritjes blutë kanë qenë të detyruar të përleshen me personat ndërsa kanë kërkuar përforcime. d.b