E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen dy të dehur, qëlluan me pistoletë mbi orkestrën e lokalit



Durrës – Terror me armë në një Buzuk të qytetit të Durrësit. Dy 37- vjeçarë në gjendje të dehur kanë hyrë brenda një lokal natë mbrëmjen e se mërkurës dhe me pas kanë qëlluar me armë në drejtim të banakut e të orkestrës por fatmirësisht nuk kanë shkaktuar viktima. Frekuentuesit e lokalit si dhe personeli kanë mbetur të tmerruar nga kjo ndodhi deri ne momentin kur dikush ka arritur të njoftojë policinë dhe grupet e gatshme kanë mbërritur në vendngjarje pa i lënë kohë dy 37 -vjeçarëve të largohen nga ku është bere menjëherë arrestimi i tyre duke sekuestruar dhe armen e zjarrit.
Ngjarja
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Durrësit, ku hareja dhe harmonia e lokalit “Buzuku kokongo” është prishur nga krismat e pistoletës së dy personave të dehur të cilët hynë forcërisht në mjediset e tij. Lajmi bëhet i ditur për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet policore të Durrësit, të cilët kanë mundur të ndalojnë dhe më pas të identifikojnë dy autorët e ngjarjes. Ata janë 37-vjeçari Skënder Laci dhe bashkëmoshatari i tij, Florian Luca, që të dy banorë të qytetit të Durrësit. Arrestimi i tyre u bë pasi duke qenë në gjendje të dehur ata kanë dashur të hyjnë në lokalin ”Buzuku Kokongo” në pronësi të Fundim Dedjas, por nuk janë lejuar nga punonjësi i shërbimit dhe kanë debatuar ashpër me të. Më pas, Skënder Laci ka nxjerrë një arme pistoletë tip “Zaztava” së bashku me shokun e tij dhe kanë hyrë me forcë në ambientet e brendshme të lokalit ku Skënderi ka qëlluar në drejtim të banakut dhe pjesëtarëve të orkestrës. Për fat të mirë, ata janë mbrojtur dhe nga të shtënat e të dehurve nuk ka pasur asnjë të dëmtuar. Menjëherë sapo është bërë njoftimi për ngjarjen ndaj forcave të policisë, ato kanë mbërritur duke vënë nën pranga dy autorët e ngjarjes, të cilët nuk arritën të largoheshin dot nga vendngjarja.
Rasti
Disa ditë më parë dy persona u plagosen në një lokal në plazhin e Durrësit, njëri prej të cilëve polic në Dibër. Dy të plagosurit janë konfrontuar me një person të armatosur i cili i kishte drejtuar armën kamerierit të lokalit. Të plagosurit morën dëmtime të lehta në këmbë dhe ishin jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë policia arrestoi autorin e kësaj plagosjeje. Burime policore thanë se ishin plagosur me armë zjarri polici Vlash Ashiku, 27 vjeç. Polici 27- vjeçar nga Dibra, Ashiku, kishte shkuar në Durrës për të takuar mikun e tij Sehad Muda.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›