E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjen një armë duke kullotur bagëtinë, vetëplagoset 13 -vjeçari



Mirditë – Një djalë i mitur është plagosur ndërsa kishte shkuar në mal për të kullotur bagëtinë. Burime policore thanë se i mituri kishte gjetur një armë zjarri dhe po luante me të pa e ditur rrezikun që i kanosej. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Domgjon të komunës Fan të rrethit Mirditë. I.K., 13 vjeç, ishte duke ruajtur bagëtitë në mal së bashku me djalin e xhaxhait të tij, bashkëmoshatarin M.K. Në një moment, dy fëmijët në vendin ku po kullotnin bagëtitë, kanë gjetur një armë zjarri. Sipas deklarimit të tyre, ata kanë nisur të luajnë me armën. Por loja i çoi në përgjakje sepse njëri prej tyre, 13-vjeçari I.K., është plagosur në këmbë. Pasi janë lajmëruar familjarët e të vegjëlve, i plagosuri është dërguar në Spitalin e Rrëshenit ku mjekët thanë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në lidhje me ngjarjen, policia e Drejtorisë së Lezhës, tha se ka nisur hetimi. Paraprakisht ajo heton në pistën e vetëplagosjes aksidentale, por tha se po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kapet i shpalluri në kërkim nga policia për vjedhjen e 70 mijë lekëve

Shkodër – Forcat e policisë së Shkodrës kanë kapur në flagrancë të shpallurin në kërkim për vjedhjen e 70 mijë lekëve në një banesë të këtij qyteti. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, personi në fjalë është 24 -vjeçari Nikolin Dermani, lindur në fshatin Kir të Shkodrës. Burimet policore thanë se ndalimi i Dermanit u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me Pëllumb Kolbuçajn dhe Gentian Sufajn, të cilët tashmë janë ndaluar nga policia, i kane vjedhur një shtetasi në banesën e tij një sasi prej 70.000 lekësh. Kapja e Nikolin Dermanit, në lagjen “Guerrile” të Shkodrës, u bë e mundur si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirorganizuar nga efektivat e seksionit të Krimeve kundër Pasurisë e Pronës në bashkëpunim me forcat e policisë së Shkodrës.

Vodhën hekur nga ish-Uzina e Preçizionit, kapen në flagrancë dy autorët

Korçë – Forcat e policisë së Korçës mundësuan sot arrestimin në flagrancë të dy personave të cilët kanë vjedhur në bashkëpunim hekur nga konstrukti i godinës së ish-Uzinës së Preçizionit, e cila ndodhet në lagjen 17 të këtij qyteti. Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, dy të ndaluarit janë Përparim Kiptiu, banues në Korçë, i dënuar edhe më parë dy herë për vjedhje. Ndërkaq, bëhet e ditur se bashkëpunëtorja e tij, Drita Barmashi, edhe kjo banuese në Korçe, do të ndiqet në gjendje të lirë, për shkak të sëmundjes që mbart vajza e saj si dhe mospasja mundësi e kujdesjes për të nga ndonjë person i afërm. Që të dy këta persona do të gjykohen për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim” parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.

Ishte gjobitur për kalim të paligjshëm të kufirit, do të shlyejë dënimin me 10 ditë burg

Korçë – Ishte shpallur si person në kërkim nga forcat e policisë për mospagesën e një gjobe të vënë me vendim të gjykatës, por ka arritur që të kapet në flagrancë prej tyre. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, bëhet fjalë për 35 -vjeçarin Besnik Beqiri, banues në fshatin Zemblak të rrethit të Korçës, i dënuar edhe më parë për veprën penale të “Falsifikimit”. Ky person ishte i shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë së Korçës disa ditë më parë pasi gjykata e këtij rrethi, me vendim nr. 54/351 ka vendosur konvertimin e gjobës prej 50.000 lekësh, për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, me 10 ditë burgim.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›