Këmbimi valutor, euro ulet nën 130 lekë, humbet 1.6 për qind
Leku shqiptar njohu një forcim të ngadaltë, por të pandërprerë gjatë tre javëve të fundit, duke fituar 1.6 për qind kundrejt ditës së saj më të keqe të shënuar më 26 mars, bëhet e ditur nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Euro u tregtua dje për 129.77 lekë, 12 qindarka më lirë sesa ditën e mërkurë. Për herë të parë në më shumë se gjashtë javë, euro u tregtua nën kuotën prej 130 lekësh. Forcimi gradual disajavor i lekut shikohet nga ekspertët si një fenomen që nuk interpretohet dot me kërkesë-ofertën. Leku shqiptar u forcua gradualisht që nga viti 2000 deri në vitin 2008, kryesisht përmes politikës së shtrënguar monetare dhe rritjes së shpejtë të të ardhurave në valutë nga emigrimi e turizmi. Por, në muajin shkurt të këtij viti, leku u dobësua me shpejtësi dhe humbi rreth 7 për qind të vlerës së vet kundrejt euros në më pak se një muaj. Dobësimi i lekut gjatë shkurtit iu dedikua largimit të valutës në formën e transferimit të fitimit nga disa korporata, si dhe deficitit të lartë të llogarisë korrente shkaktuar nga shpenzimet e fryra buxhetore. Ka shumë ekspertë që dyshojnë se dobësimi i shpejtë i lekut në shkurt, si dhe forcimi gradual gjatë javëve të fundit, po ndihmohet nga forca spekulative në treg. Edhe BSH-ja njoftoi pak ditë më parë, se në treg mund të ketë forca spekulative. Një numër i konsiderueshëm shqiptarësh, të cilët kanë shpenzime mujore në euro, ku përfshihen kredimarrësit, kanë paguar gjatë muajve të fundit dobësimin e lekut.
Tregtimi i gazit, IQT-ja bllokon 184 njësi tregtimi në të gjithë vendin
Inspektorati Qendror Teknik që prej fillimit të vitit po vazhdon kontrollet në të gjithë territorin e vendit në njësitë e mbushjes së gazit, me qëllim evidentimin e zbatimit të rregullave teknike nga ana e tyre dhe pajisjen me autorizimin përkatës. "Gjatë tre muajve të vitit 2009 kemi lëshuar 16 akte bllokimi në Tiranë dhe rreth 168 të tjera në qytetet e tjera të vendit në pikat e paligjshme dhe të rrezikshme të tregtimit të gazit të lëngshëm dhe autogazeve",- tha Kryetari i Inspektoratit Qendror Teknik, Ilir Kurti. Sipas tij, në rast se këto pika nuk mbyllen, ne do t'i drejtohemi prokurorisë për ndjekje penale. Kryetari i IQT-së theksoi gjithashtu se, "aktet e bllokimit i disponojnë tashmë prefektët e qarqeve, të cilët në bashkëpunim me IQT-në, Inspektoratin e Ndërtimit, Agjencinë e Mjedisit dhe Policinë e Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit, po drejtojnë grupet e kontrollit për mbylljen e tyre". Gjatë vitit 2008, IQT-ja ka çuar 7 subjekte të mbushjes së gazit që ndodhen në Tiranë për ndjekje penale, si dhe ka bllokuar 16 autogaze. Ndërsa, gjatë kontrolleve të ushtruara në vitin 2008 rezultoi se rreth 47 njësi të mbushjes së gazit në të gjithë vendin nuk ishin të pajisura me autorizimin përkatës nga bashkia.
17 Prill 2009