Arrestohet teksa kthehej nga Italia i dënuari me 5 vjet burg
Një tjetër i kërkuar vihet në pranga nga blutë e Durrësit. Ka menduar se vitet e kaluara në Itali e kanë fshirë emrin dhe fytyrën e tij nga lista e të kërkuarve në vendlindje dhe ka udhëtuar me tragetet e linjës Bari-Durrës për t‘u kthyer në atdhe. Ilir Pasku (Sharka) është kapur paraditen e djeshme në Portin Detar të Durrësit, pa mundur të mbërrijë pranë familjes. Mes fotove dhe emrave të personave në kërkim, shërbimet e kontrollit policor në vendkalimin kufitar të Durrësit kanë mundur të identifikojnë dhe kapin në hyrje këtë person në kërkim. Pasku, 29 vjeç, është dënuar me pesë vjet burg për vrasje me dashje e mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake. I kapuri është banor i zonës së nxehtë të krimit në Durrës, Spitallës. Sipas burimeve zyrtare policore, ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Durrës që në mars të vitit 2005, pasi më 20 shkurt të atij viti, në Spitallë, pas një grindjeje të çastit për motive të dobëta me dy shtetas, ka qëlluar me armë zjarri të tipit pistoletë në drejtim të automjetit tip "Audi 80", me targa DR 8180 B, në të cilin ata udhëtonin. Gjykata e Rrethit Durrës, në verën e të njëjtit vit, e ka shpallur fajtor dhe ka dhënë për të masën e dënimit me 5 vjet heqje lirie për veprat penale të vrasjes me dashje mbetur në tentativë dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Kapja e Ilir Paskut u bë e mundur gjatë kohës kur po tentonte të hynte në territorin shqiptar, pasi kishte udhëtuar me një nga tragetet e linjës Itali-Shqipëri.