E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnje, në pranga trafikanti i klandestinëve

Policia e Lushnjës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, i cili trafikonte klandestinë drejt Greqisë. Mikel Cani, i mbajtur nën survejim për dy muaj nga policia lokale, është arrestuar në çastin që do të nisej me 10 klandestinë drejt jugut të vendit e më pas drejt Greqisë. Sipas burimeve zyrtare të Komisariatit të Policisë Lushnjë, Mikel Cani, kishte vite që merrej me trafik klandestinësh, ndërsa kishte rënë në gjurmët e policisë. Këta të fundit kanë "dështuar" para disa javësh. Ndërsa javën e fundit, ai është marrë me "kopsitjen" e grupit të radhës për ta çuar drejt Greqisë në mënyrë ilegale. Mesditën e së shtunës, ndërsa Mikel Cani ndodhej në një nga daljet e qytetit të Lushnjës dhe ishte në çastet e fundit për të nisur rrugën e tij të fitimit, një grup agjentësh të krimit të organizuar kanë bërë ndalimin e tij si dhe të 9 personave që gjendeshin me të. Pas pyetjes së këtyre të fundit, në mjediset e komisariatit janë arritur të sigurohen dëshmitë e implikimit të 28-vjeçarit në trafikun e klandestinëve. Klientët kanë thënë për policinë se Cani i merrte secilit prej tyre shumën e 900 eurove. Ai në mënyrë klandestine arrinte t‘i dërgonte në kufirin me Greqinë, nëpërmjet pikës kufitare të Kakavijës dhe të Carshovës dhe i linte në Janinë, ku një person tjetër i merrte dhe i dërgonte në itinerar. Edhe në këtë rast klandestinët e paguanin 300 euro. I gjithë rrugëtimi është zbuluar pas dëshmive të disa klandestinëve që e kishin për të disatën herë që kapërcenin kufirin nën shërbimin e 28- vjeçarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›