Bllokohen dy "BMW X5", dyshohen të trafikuara
Dy persona janë proceduar penalisht për trafik të mjeteve motorike, ndërkohë që është shpallur në kërkim një shtetas anglez. Burimet policor të kryeqytetit thanë se antitrafiku ka bllokuar një mjet, i cili rezultonte i vjedhur në Angli. Sipas informacioneve, u kryen veprimet procedurale për automjetin tip "BMW", me targë TR5275P, me ngjyrë të zezë, në pronësi të Kujtim Hasan Shehajt, 23 vjeç. Ky mjet është bllokuar, pasi rezulton se është i denoncuar dhe i vjedhur në Angli. Në momentin e bllokimit, mjeti drejtohej nga shtetasi i mësipërm, i cili ka deklaruar se ia kishte blerë anglezit Xhon Baes, kundrejt shumës 15 mijë euro, duke i bërë dhe kontratën e shitblerjes. Pas hetimeve të bëra nga Seksioni i Luftës Kundër Trafiqeve në Tiranë, ky automjet rezulton të jetë futur në Shqipëri nga shtetasi anglez. Po për veprën penale të trafikimit të mjeteve motorike iu dërguan materialet prokurorisë për Albert Hoxhën, 31 vjeç. Këtij personi iu gjet automjeti "BMW X5", me targa LU179897, i cili dyshohet si i trafikuar.