Vidhet kasaforta e Drejtorisë së Transportit Rrugor
Vidhet kasaforta e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin e autorëve. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, ndërsa kasaforta është gjetur pak minuta më vonë, e hapur dhe e braktisur në një automjet me targa të huaja. Në automjetin e braktisur, policia ka siguruar edhe disa gjurmë, të cilat mendohet se u përkasin autorëve që vodhën kasafortën. Sipas hetimeve, në kasafortë ndodheshin para dhe dokumente. Burimet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës bënë të ditur se mëngjesin e djeshëm ka ndodhur një vjedhje në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor, që ndodhet në afërsi të rrugës "Irfan Tomini". Vjedhja është konstatuar nga punonjësit e drejtorisë në fjalë, të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë. Sipas uniformave blu, me t‘u njoftuar në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet nga Komisariati Nr. 2, të cilët janë ndihmuar edhe nga ekspertët e seksionit kundër vjedhjeve. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se autorët e kësaj ngjarjeje janë tre persona të paidentifikuar, të cilët kanë realizuar vjedhjen, duke hyrë nga dritarja e godinës së transportit rrugor. Ata kanë marrë kasafortën e shërbimit dhe janë larguar me nxitim. Pak më tutje, grabitësit kanë mundur të hapin kasafortën, që e kanë bastisur. Por, ndjekje e policisë ka bërë që ata të braktisin kasafortën, bashkë me një makinë tip "BMW", me targa italiane "BT96IT". Policia ka mbërritur në vendin ku është braktisur mjeti dhe ka fiksuar disa gjurmë, që janë dërguar në laboratorin e kriminalistikës. Sipas policisë, gjurmët u përkasin tre personave, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar disa të dyshuar. Policia deklaroi se po punohet edhe për identifikimin e poseduesit të mjetit të braktisur, i cili mendohet se është i përfshirë në grabitje.