E Diel, 1 Nëntor 2026

"Bllokohet pasaporta e Arben Sefgjinit"

Të pandehurit për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha 13 vjet më parë nuk mund të largohen jashtë Shqipërisë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë masë shtrënguese ndaj Arben Sefgjinit, ish-drejtor i SHIK-ut në Tiranë, aktualisht drejtor i përgjithshëm i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ai akuzohet si një nga shkaktarët për rrëmbimin dhe më pas torturimin e Remzi Hoxhës, Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopulit. Burime nga akuza qendrore thanë për gazetën "Shqip" se bashkë me Sefgjinin nuk mund të lënë Shqipërinë edhe Avni Koldashi dhe Budjan Meçe. Ndërsa ndaj Ilir Kumbaros, rokuroria nuk ka marrë asnjë masë, pasi ai ndodhet prej disa vitesh në Angli, ku ka fituar statusin e azilantit politik. Burimet hetimore deklarojnë se kanë vërtetuar se katër të pandehurit kanë bashkëpunuar, duke shfrytëzuar edhe detyrën shtetërore. Por ata do të hetohen edhe sipas konventës ndërkombëtare kundër torturës, e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në kuadër të nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Prokuroria Shqiptare sqaron se neni dy i kësaj konvente thotë ndër të tjera se personat që kanë ushtruar detyra shtetërore dhe kanë sjellë pasoja të rënda mund të akuzohen për krimin që kanë kryer njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë. Por vitet që kanë kaluar pas ngjarjes mund të jenë një problem për organin e akuzës, pasi pjesa më e madhe e dëshmitarëve janë "zhdukur". Mësohet se prokuroria ka evidentuar vetëm marrjen e tre shtetasve nga ish-drejtuesit e SHIK-ut, por nuk ka saktësuar se për çfarë janë "rrëmbyer" të tre personat. Mësohet se në prokurori, krahas familjarëve të Remzi Hoxhës, kanë dhënë shpjegime edhe të pandehurit. Ata kanë mohuar akuzën, duke deklaruar se "kanë zbatuar urdhrin". Në dosjen voluminoze të prokurorisë ndodhen edhe dëshmitë e ish-kreut të SHIK-ut Bashkim Gazidede. Ai është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen. Por personi që ka dhënë më shumë prova për organin e akuzës është një ish-drejtues tjetër i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi. Ai i ka dhënë organit të akuzës të gjithë korrespondencën me krerët e shtetit për këtë dosje.

Në listë përfshihen drejtues të SHIK-ut, familjarë dhe ish-punonjës në Vain

Prokuroria: 20 dëshmitarët

për rrëmbimin e Remzi Hoxhës

Prokuroria e Krimeve të Rënda përgatit listën e personave që do të merren në pyetje për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha, 13 vjet më parë. Pas dëshmisë së ish-drejtorit të SHIK-ut në vitin 1995, Bashkim Gazidede, priten që në seancat gjyqësore të dalin rreth 20 dëshmitarë, që kanë dijeni mbi fatin e Hoxhës. Sipas burimeve, dosja penale e ardhur nga SHIK-u ka në brendësi disa emra, të cilët do të merren në pyetje. Bëhet fjale për ish-drejtues të SHIK-ut, në vitin 1995, familjarë të Hoxhës dhe ish-punonjës të rezidencës presidenciale në Vain të Lezhës.

Sipas prokurorisë, Remzi Hoxha është rrëmbyer më datën 21 tetor 1995, rreth orës 13:30 minuta, afër firmës "Albatros", që prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e bëra rezulton se një ndër automjetet që është përdorur në këtë ngjarje, me targë TR 2449C, i takonte SHIK-ut, dhe ajo është tërhequr nga shefi i prapavijës së SHK-ut të Tiranës, Nuredin Dervishi. Ky person është në listë për dëshmitar në seancën gjyqësore, së bashku me ish-drejtorin e SHIK-ut në Tiranë, Mehmet Haxholli, i cili ka marrë në dorëzim makinën. Prokuroria thotë se ish-shefi i bazës nr.10 të vëzhgimit, Avni Koldashi, ka marrë pjesë në këtë operacion dhe më pas e ka dorëzuar tek një grup oficerësh operativë, ku ndër më kryesorët kanë qenë Ilir Kumbaro dhe Arben Sefgjini, kryetar dege dhe zv.drejtor në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë. Prokuroria thotë se për ish-drejtuesit pritet që në ditët në vazhdim të formulohen edhe fletëthirrjet. Në seancat gjyqësore pritet që të japë deklarime edhe Avdyl Lozhaj, dhe Ziso Kristopulli, i cili në kohën e ngjarjes ka qenë ish-kryetar i PS-së në zonën e Ksamilit. Ndërsa Anibal Basha, agresori i Fatos Klosit, është në listën e personave që do të japin deklarime, pasi mendohet se ka "zbërthyer" si agjent i shërbimit serb, Avdyl Loshajn.

Ndër personat e tjerë që pritet të japin deklarime është edhe Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros, i cili, sipas informacioneve operative, rezulton të ketë marrë pjesë në veprimet ndaj tre personave të rrëmbyer. Po ashtu, një ish-shikas me emrin Xhafit Xhaferri, është në listën e personave që pritet të merren në pyetje. Ndërsa ish-shefi i kundërzbulimit në SHIK, Flamur Gjymyshka, kunat i Bashkim Gazidedes, do të dëshmojë për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Pritet që dy familjarët e Hoxhës të hedhin dritë mbi rrëmbimin e tij. Bëhet fjalë për Nexhmedin Hoxhën, i vëllai, dhe Sevdije Hoxha, bashkëshortja e Remzi Hoxhës. Ndërkohë, një pikë kulmore e hetimeve është edhe marrja në pyetje e ish-punonjësve në rezidencën e Presidencës që ndodhej në Vain të Lezhës, në vitin 1995, ku dyshohet se është varrosur Hoxha.

Som

Do të merren në pyetje ish-punonjësit e rezidencës në Vain të Lezhës, ku dyshohet se është varrosur Hoxha

Lista

Dëshmitarët e dosjes "Hoxha"

1- Bashkim Gazidede, ish-kryetar i SHIK-ut

2- Fatos Klosi, ish-kryetar i SHISH-it

3- Avdyl Loshaj, telekronist

4- Ziso Kristopulli, ish-kryetar i PS-së së Ksamilit

5- Nuredin Dervishi, ish-shefi i prapavijës së Drejtorisë së SHIK-ut në Tiranë

6- Mehmet Haxholli, ish-drejtori i SHIK-ut të Tiranës

7- Anibal Basha, ish-inspektor i SHIK-ut

8- Avni Koldashi, ish-shefi i bazës së vëzhgimit numër 10 të SHIK-ut

9- Ilir Kumbaro, ish-oficer operativ i SHIK-ut

10- Budion Meçe, ish-oficer operativ i SHIK-ut

11- Arben Sefgjini, ish-kryetar dege në Drejtorinë e SHIK-ut në Tiranë

12- Roland Dedej, ish-shofer i Ilir Kumbaros

13- Xhafit Xhaferri, ish-SHIK-asi

14- Flamur Gjymyshka, ish-zv.drejtori i Kundërzbulimit

15- Bexhet Muhellari, ish-inspektor i SHIK-ut, ku ka banuar Hoxha

16- Nexhmedin Hoxha, vëllai i Remzi Hoxhës

17- Sevdije Hoxha, bashkëshortja e Remzi Hoxhës

18- Viktor S., ish-roje në rezidencën në Vain të Lezhës

19- Rita M., ish-sekretare e rezidencës në Vain të Lezhës

20- Gjok H., përgjegjës në rezidencën në Vain të Lezhës



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›