"Dhuna në familje, ndëshkohen policët që neglizhojnë rastet"
Krimi në familje u bë një fenomen shqetësues edhe dy vjet më parë, duke detyruar krerët e policisë që të urdhërojnë vartësit për të zbuluar rastet e territorin që ishte nën juridiksionin e tyre. Duke parë rastet e dhunës që kishin shkuar deri në krim brenda familjes, kjo i detyroi eprorët e policisë që të lëshojnë një urdhër, ku kërkohej që policët duhet të zbulojnë këto raste, me qëllim parandalimin e tyre. Nëse këto raste nuk raportohen, atëherë urdhri parashikon masa ndaj punonjësve të policisë, deri edhe në arrestimin e tyre. Urdhri nga kreu i Policisë së Shtetit është dhënë pas rekomandimeve të bëra nga "Amnesty International", e cila analizonte se në Shqipëri krimi brenda familjes është një shqetësim i madh. Urdhri është dhënë me qëllim parandalimin e kësaj dhune dhe ndjekjen me përgjegjësi të plotë ligjore të denoncimeve dhe kallëzimeve të bëra prej tyre, ndërkohë që është fokusuar në rastet e ushtrimit të dhunës brenda gjirit të familjes nga bashkëshortët apo partnerët. Në letër-porosi deklarohet se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit porosit të gjithë drejtoritë në qarqe që të evidentojnë, dokumentojnë dhe të ndjekin me përgjegjësi të gjitha denoncimet e bëra nga gratë e dhunuara apo keqtrajtuara me dëmtime fizike si për çdo krim tjetër të denoncuar, duke bërë referimet përkatëse në organin e prokurorisë. Sipas të dhënave, shpesh herë këto raste janë ndjekur nga gjykatat, ndërkohë që për herë të parë, krerët e policisë kanë kërkuar dokumentimin e plotë të këtyre rasteve të ushtrimit të dhunës. Ndërkohë, në shumë raste denoncimesh, duke parë edhe raportet ndërkombëtare, policia i ka neglizhuar këto krime, por tashmë në një pikë tjetër të letër-shërbimit kërkohet edhe vendimi i mjekësisë. "Të kryhet ekzaminimi mjeko-ligjor për të gjitha rastet kur konstatohen dëmtime fizike të grave të keqtrajtuara, me qëllim dokumentimin e veprës penale në ngarkim të bashkëshortëve apo partnerëve të tyre dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore", deklarohet në urdhrin e lëshuar nga policia. Policia, me këtë urdhër, duhet t‘u japë përparësi këtyre denoncimeve që deri në kohët e fundit ndoshta kanë kaluar në heshtje, për shkak edhe të tërheqjes së denoncimeve nga të dhunuarat. Gjithashtu janë urdhëruar që sallat operative të policisë të ndjekin me përparësi të gjitha ankesat e bëra nëpërmjet telefonit nga gra të dëmtuara ose dëshmitarë dhe të ofrojnë ndërhyrjen apo ndihmën e duhur, me qëllim mbrojtjen e tyre nga rreziku i dhunës së mëtejshme.