E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku, pistoletat nga Holanda shkonin në Greqi

Hetimet kanë nxjerrë në pah se pistoletat që trafikoheshin nga Holanda në Shqipëri shkonin drejt Greqisë. Transporti i tyre drejt vendit fqinj kryhej me taksi, ndërkohë që policia ka nisur punën për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe identifikimin e autorëve të tjerë, që janë implikuar në trafik armësh. Policia e Tiranës deklaroi se dy ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar "Golt", seksioni i antitrafikut mundësoi lokalizimin dhe arrestimin flagrant në qytetin e Elbasanit të Agim Edmond Shëngjonit, 31 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. "Falë posedimit të shumë informacioneve operative të grumbulluara për të, u realizua në qytetin e Elbasanit, në ambientet e zyrave postare në këtë qytet, kapja e të sipërcituarit. Ndërkohë, u konkludua se ky person, duke përdorur gjeneralitete të rreme, ka dërguar disa pako postare nga Holanda, ku ka jetuar prej disa vitesh, në adresë të familjes së tij, në qytetin e Elbasanit", deklaroi policia e Tiranës. Sipas konkluzionit të hetimeve, në sajë të punës së bërë, atij iu gjetën tre pistoleta, nëntë krehër dhe 342 fishekë. Policia detajoi se në vendin ku u sekuestruan këto armë u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë. Aktualisht, nga ky seksion vazhdon puna për verifikimin e të gjitha dërgesave postare të dërguara nga ky shtetas, në adresë të familjarëve apo të të afërmve. Por nga ana tjetër, policia ka vijuar ehe më tej hetimet në lidhje me këtë rast. Sipas të dhënave, pas arrestimit të Agim Shëngjonit, policia ka shoqëruar edhe të afërm të tij, të cilët janë marrë në pyetje në lidhje me trafikun e pistoletave. Ata kanë deklaruar në polici se nuk kishin dijeni për një veprim të tillë, ndërkohë që është ushtruar kontroll edhe në banesën ku ata jetonin. Policia tha se nga të dhënat operative ka rezultuar se trafiku i pistoletave nuk mbaronte në Shqipëri. Burimet policore shpjeguan se pistoletat vinin në Shqipëri dhe më pas dërgoheshin në Greqi. "Drejt Greqisë, trafiku kryhej me mjete taksi. Atje i pret një tjetër person, i cili i shet në tregun vendas", kanë detajuar burimet nga grupi hetimor. Sipas të dhënave policore, informacionet për këtë linjë trafiku u janë dërguar edhe shteteve fqinje, ku po punohet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›