Arrestohet, tentoi të vrasë shoferin e postës
Prangoset pas tre muajsh shoferi i një zyre poste në Tiranë, i cili tentoi të vrasë kolegun pas një sherri për vendin e parkimit të makinës. Petrit Qerimi është arrestuar ditën e djeshme nga seksioni kundër vrasjeve, pasi akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë. Policia tha se bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në fillim të muajit mars, kur dy shoferë të zyrës së postës pranë Kinostudios në Tiranë, janë zënë me njëri-tjetrin pas një sherri për vendin e parkimit. Ilia Ristani, rreth 45 vjeç, është qëlluar me thikë në zemër nga kolegu i tij, Petrit Qerimi. Ristani është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spital dhe falë mrekullisë së mjekëve kirurgë, aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Me të marrë sinjalizimin përkatës, në vendin e ngjarjes, krahas shërbimeve të Komisariatit Numër 4 të Tiranës, mbërritën edhe oficerët e zbulimit të vrasjeve. Nga hetimet u dokumentua autorësia e ngjarjes për Qerimin, i cili ishte shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dhe dje u mundësua arrestimi i tij.