E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjyq kryepolici i Rrugores, paditet për dhunë

Prokuroria e Tiranës kërkon pezullimin e shefit të Qarkullimit Rrugor të kryeqytetit, Krenar Ahmeti. Kërkesa e prokurorisë vjen pas kallëzimit penal që dy shtetas kanë bërë në drejtim të drejtorit të Qarkullit Rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti. Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës do të vendosë sot për masën e sigurisë, nëse do ta pezullojë deri në fund të hetimeve apo Ahmeti do të vazhdojë punën deri në një vendim të formës së prerë. Megjithatë, në gjykatë ka mbërritur kërkesa e organit të akuzës, ku dy të dëmtuar, një prej tyre është prokurore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe tjetri qytetar i Durrësit, pretendojnë se janë shoqëruar në polici pa të drejtë. I kontaktuar nga gazeta "Shqip", Krenar Ahmeti deklaroi se ka kryer vetëm detyrën dhe se do të respektojë çdo vendim të drejtësisë, pjesë e së cilës është edhe vetë.
Denoncimi i parë

Përgjatë muajve të fundit, kohë në të cilën Krenar Ahmeti është vendosur në krye të qarkullimit rrugor të Tiranës, dhjetëra banorë të Tiranës, por edhe të rretheve, kanë kryer kallëzime penale për dhunë fizike dhe psikike ndaj tij. Kallëzimet janë depozituar në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka bashkuar të gjitha pretendimet në një dosje të vetme. Pas hetimeve paraprake nga prokurori Ervin Karanxha janë arritur të zbulohen dy raste. Sipas akuzës, duke iu referuar kërkesës së depozituar në Gjykatën e Tiranës, Ahmeti ka shoqëruar pa të drejtë shtetasin nga Durrësi, Hasan Neza, pas një konflikti në një nga rrugët e Tiranës. Neza pretendon se është shoqëruar me forcë në Komisariatin e Policisë Nr.2, duke iu shkaktuar fraktura në trup. Pretendimet e qytetarit nga Durrësi, sipas prokurorisë, vërtetohen edhe nga mjekësia ligjore, në sajë të raportit të saj. Aty thuhet se nga përdorimi i forcës së uniformave blu, shtetasi Hasan Neza ka pësuar dëmtime në trup.
Shoqërimi i prokurores

Për katër orë me radhë prokurorja e Krimeve të Rënda, Elisabeta Bajri, është shoqëruar me "dhunë" në Komisariatin e Policisë Nr.2 me urdhër të shefit të qarkullimit rrugor, Krenar Ahmeti. Në bazë të ligjit për prokurorinë thuhet se "prokurori nuk mund të ndalohet, kontrollohet ose arrestohet, pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm". Duke iu bazuar ligjit, prokurorja ka kryer një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, ku dosja është hetuar nga "kolegu" i saj, Ervin Karanxha. Në bazë të kallëzimit dhe raportit të shoqërimit në komisariat, grupi hetimor ka shprehur bindjen se punonjësit e policisë rrugore, Krenar Ahmeti, Alfons Gjoni dhe Blenard Vathi, kanë kryer veprime arbitrare duke i mbajtur pa të drejtë disa qytetarë. Ngjarja ndodhi në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", përballë dy "Kullave binjake". Prokurorja Elizabeta dhe bashkëshorti i saj, Agron Bajri, janë shoqëruar me forcë në Komisariatin Numër 2 të Policisë së Tiranës, ku janë mbajtur të paktën 4 orë. Por pas mesnate ata janë lënë të lirë së bashku me automjetin e bllokuar në mënyrë demonstrative. Pas ngjarjes, ata nuk kanë marrë as ndonjë masë administrative gjobë, për kundravajtjen rrugore apo penale që ishin akuzuar në vendin e ngjarjes dhe në birucat e shoqërimit.

Ahmeti

Shefi i qarkullimit në Tiranë deklaron se Agron Bajri e ka fyer

"Nuk shoqërova prokuroren, por bashkëshortin e saj"

Duket se "telashet" me drejtësinë, shefit të qarkullimit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmeti, nuk i bëjnë përshtypje. Kallëzimet penale të dy shtetasve për veprime arbitrare i ka quajtur të pabaza. Deklaron për gazetën "Shqip" se do të mirëpresë çdo vendim të gjykatës dhe do ta zbatojë me përpikëri. Në lidhje me denoncimin e shtetasit nga Durrësi, Hasan Neza, thotë se personi në fjalë e ka kërcënuar me jetë dhe është detyruar ta shoqërojë në polici. "Personi në fjalë më ka kërcënuar me jetë. Ndaj tij kam depozituar kallëzim para oficerëve të policisë gjyqësore, ku hetimi po verifikohet nga prokuroria", tha Ahmeti, duke saktësuar se nuk ka kryer asnjë veprim arbitrar. Në lidhje me rastin e prokurores, Ahmeti deklaron se ajo nuk ka qenë objekt i shoqërimit, por ka qenë bashkëshorti i saj, i cili e ka fyer. "Kam qenë i detyruar të shoqëroj bashkëshortin e prokurores, pasi jam fyer prej tij. Jam detyruar të kryej një kallëzim penal para oficerëve të policisë gjyqësore", tha shefi i qarkullimit rrugor, për të cilin gjykata do të vendosë sot nëse do e mbajë apo jo. Ai tha se në prokurori nuk ka dhënë shpjegime, por është i detyruar të respektojë organet e drejtësisë, pjesë e së cilës është edhe vetë. s.çobo

Të pandehur

Krenar Ahmeti

Alfons Gjoni

Blenard Vathi

Denoncuesit:

Hasan Neza

Elisabeta Bajri

Karta e prokurorit

Mbrojtja nga procesi penal
Prokurori nuk mund të ndalohet, kontrollohet ose arrestohet, pa pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm, përveç rasteve kur kapet në kryerje e sipër të një krimi, ose menjëherë pas kryerjes së tij. Në këto raste, organi përgjegjës njofton menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm.

SHKB-ja, hetim krerëve të qarkullimit rrugor

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme ka nisur një hetim ndaj Krenar Ahmetit, Alfons Gjonit dhe Blenard Vathit, të akuzuar për veprime arbitrare në shoqërimin e dy shtetasve në Komisariatin e Policisë Nr.2. Burime të konfirmuara pohojnë se inspektorët e SHKB-së kanë marrë raportet e shoqërimit, ku pritet që në ditët e ardhshme të jepen edhe të dhënat e para. Dyshohet se drejtuesi i qarkullimit ka shkelur ligjet me shoqërimin e disa shtetasve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›