Tentojnë ta rrëmbejnë për paratë e bastit të humbur
Sherri për paratë e një basti të humbur ka sjellë plagosjen e një personi dje paradite në qendër të Tiranës. Agresorët kanë tentuar të marrin peng një 45-vjeçar për paratë borxh, por kur nuk ia kanë dalë mbanë e kanë goditur atë me levë, duke e lënë pa ndjenja në trotuar dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Burimet policore thanë se ngjarja është regjistruar paraditen e djeshme në sheshin pranë Sahatit, ndërkohë që autorët janë shpallur në kërkim nga policia. Sipas informacioneve policore, rreth orës 11:30 janë njoftuar nga kalimtarë të rastit se dy persona po godisnin me levë në kokë një 45-vjeçar. Me t‘u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar uniformat blu të patrullës së përgjithshme, të cilët nuk kanë mundur të kapin autorët. Të pranishmit në vendin e ngjarjes kanë treguar për policinë se dy të rinjtë fillimisht kanë tentuar të marrin të plagosurin në një makinë "Golf" me targa të Tiranës dhe kur nuk ia kanë dalë mbanë e kanë goditur me leva. Menjëherë pas ngjarjes në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia bashkiake, e cila ndodhej fare pranë, duke i dhënë ndihmën e parë të plagosurit, i cili është nisur për në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa policia ka formuar një grup hetimor për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Nga dëshmitarët okularë është deklaruar se dy të rinjtë, ku bashkë me ta ishte edhe një femër, kanë tentuar të marrin peng 45-vjeçarin, i cili është identifikuar me emrin Nevruz Kaja dhe që vuan nga një sëmundje e rëndë. Ndërkohë, brenda një kohe të shkurtër policia ka mundur të zbulojë se sherri kishte ardhur pas një borxhi me vlerë të vogël. Nga të dhënat e policisë mësohet se i dëmtuari dhe autorët kanë qenë duke luajtur poker. Gjatë lojës, i dëmtuari i ka mbetur borxh 10 mijë lekë njërit prej lojtarëve. Në këto kushte, agresori ka tentuar të marrë 45-vjeçarin për të gjetur paratë që i kishte borxh. 45-vjeçari ka kundërshtuar këtë sulm ndaj tij dhe në këto kushte është goditur me levë prej personit që po luante me të dhe prej një shokut të tij. Dy agresorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që policia tha se i ka identifikuar dhe i ka shpallur në kërkim. Ndërkohë, pritet që grupi hetimor të marrë në pyetje të dëmtuarin, i cili ndodhet në spital, por gjatë ditës së djeshme nuk ka mundur të lëshojë dëshmi për policinë.