Arrestohet timonieri i varkës
FIER/ MAJLINDA RAMA
Arrestohet personi që drejtoi varkën e tejmbushur me klandestinë mbrëmjen e tragjedisë së Butrintit. I fshehur në një banesë të fshatit Shelegar të Sarandës, Dashamir Mane, vetëm 23 vjeç, u vu në pranga nga policia. Po dje, bashkë me të riun u arrestua organizatori tjetër i trafikut me pasojë vdekjen deri tani të 4 personave, Hyqmet Sollaku. I lindur në Fier, 41-vjeçari u ndalua i fshehur në një banesë të lagjes Kombinat në Tiranë, ku dhe banonte prej vitesh. Bashkë me pronarin e varkës, Ahmet Bushi dhe një tjetër bashkëpunëtor, Bashkim Sena, janë 4 personat e akuzuar direkt për këtë tragjedi, ndërsa janë ende në kërkim Albert Gega dhe Brahim Madhi. Emrat e tyre u zbuluan pas dëshmive të personave të mbijetuar nga tragjedia, përshkrimit fizik të bërë dhe dy të ndaluarve të parë. Për arrestimin e organizatorëve të trafikut u angazhuan të gjithë komisariatet e vendit, pasi banimi i tyre është i ndryshëm. Deri mesditën e së martës dyshohet se timonieri i varkës, Dashamir Mane, banor i Sarandës, ishte një prej dy viktimave që humbën jetën. Por, marrja në pyetje e familjarëve zbuloi se ai ishte gjallë dhe po i fshihej arrestimit të policisë. Dyshohet se prej 2 muajsh, nga liqeni i Butrintit niseshin klandestinë, pasi atyre u ishte bllokuar kalimi nga lundra, për shkak të vendosjes së postbllokut të policisë kufitare. Për këtë arsye, të gjithë anëtarët e rrjetit punonin për t’i mbledhur të interesuarit nga i gjithë vendi, për t’i përcjellë deri në Butrint. Aty, pa e ditur askush rrezikun, hipnin mbi një varkë prej druri, e cila që në pamje të parë mbartte frikën e vdekjes. Ndonëse kjo linjë funksiononte prej kohësh, asnjë prej komisariateve të policisë së jugut nuk ka mundur ta pikasë, e për rrjedhojë të bëjë parandalimin e ngjarjeve të rënda. I pari që ka reaguar për këtë organizatë trafiku të qenieve njerëzore është drejtori i policisë së Qarkut Fier, Shemsi Prençi. I alarmuar nga fakti që pjesa më e madhe e emigrantëve ishin pikërisht nga qarku i Fierit, ai ka mbledhur krerët e policisë së tre komisariateve duke i paralajmëruar për masa të forta ndëshkimore. Të pranishëm në takimin urgjent kanë qenë shefat e komisariateve të Fierit, Lushnjës e Mallakastrës si dhe zëvendësdrejtori Elidon Veizaj. Mësohet se Prençi në këtë takim ka deklaruar se nëse verifikohet se klandestinët kanë qëndruar të paktën për 12 orë në Fier dhe nuk janë konstatuar, atëherë do të merren masa ndëshkimore, madje deri në largimin nga puna. Ndërkohë burime jozyrtare deklarojnë se një pjesë e policëve mund të kenë dijeni lidhur me këtë ngjarje, ose të jenë të implikuar në këto trafiqe, duke i mbështetur organizatorët. Kjo nisur më tepër nga fakti që pas tragjedisë rezultoi se drejtuesit e trafikut ishin nga Fieri. Në kërkim tani nga policia janë gjithashtu dhe dy persona të tjerë, që janë të akuzuar si organizatorë të trafikut të qenieve njerëzore, nga Fieri në Sarandë dhe më pas në drejtim të Greqisë.
Dyshimi, Ndriçim Myftari është gjallë
SARANDE/ SHPRESA DINE
Ndriçim Myftari mund të jetë i gjallë. Kur kërkimet e polumbarëve janë shtrirë në rreth 90 për qind të liqenit të Butrintit, hidhet dyshimi i fortë mbi fatin e 17-vjeçarit të zhdukur prej së dielës. Kjo pistë ka rikthyer një fije shprese te familjarët e adoleshentit, ndonëse ata vijojnë të vajtojnë buzë liqenit që prej orëve të para të tragjedisë. Dyshimet për faktin se Ndriçimi mund të jetë gjallë, kanë ardhur nga disa dëshmi të shkëputura të personave që jetojnë aty pranë apo të barinjve të zonës. Sipas tyre, disa ditë më parë, fakt që përkonte me orët pas përmbysjes së varkës së mbushur me klandestinë, kanë parë një person me rroba sportive të lagura në trup, i cili ngjitej në kodër me anë të një shkopi. Madje, një prej dëshmitarëve ka arritur deri aty sa t’u kërkojë familjarëve të Ndriçim Myftarit një fotografi të tij, për të konfirmuar nëse bëhet fjalë për të. “Gruaja ime ka parë para dy ditësh një djalë të dobët i veshur me tuta sportive që i kishte të lagura, me një shkop në dorë që kishte kaluar nga Ksamili”. Kjo pistë e re është pranuar nga policia, e cila ka nisur paralelisht kërkimet në tokë për të gjetur ndonjë shenjë të mundshme të adoleshentit. Operacioni nisi dje në ujë dhe kodrat e zonat përreth Butrintit, deri në Ksamil e Xarrë. Polumbarët i nisën kërkimet që herët në mëngjes, në zonën përballë Portës së Luanit, në korridorin detar të kanalit të Vivarit. Megjithëse prej ditësh ata kanë kryer veprime në një pjesë të mirë të liqenit dhe kanalit të Butrintit, asnjë shenjë nuk kanë gjetur për trupin e adoleshentit, madje as në vendin ku të martën u nxorën nga uji dy të rinj, klandestinët e varkës së ngjarjes. Për policinë, dyshimet se adoleshenti mund të ketë dalë nga uji shëndoshë e mirë mbështeten dhe te dëshmitë e dy shokëve të tij të fshatit, me të cilët ishte nisur drejt udhëtimit fatal. Një prej tyre pohoi se në momentin e përmbysjes së varkës Ndriçimi ishte pranë tij, por ai dinte shumë mirë not. Faktin e mosreagimit të tij e lidhin me dyshimet e tjera se vetë Ndriçimi mund të jetë përzier në rrjetin e personave që organizuan trafikun klandestin. Adoleshenti mendohet se mund të jetë shfrytëzuar nga trafikantët që të bëjë grumbullimin e personave të interesuar në zonën ku jetonte. Përkundrejt këtij veprimi atij nuk do t’i mbaheshin paratë e rrugës. Vetë bashkëfshatarët e tij adoleshentë nga fshati Imsht i Lushnjës, të mbijetuar nga tragjedia, pohuan se disa shokë të tyre kishin njohje në Fier, prej nga u nisën drejt Sarandës. Pikërisht frika nga policia duket se e ruan adoleshentin për t’u bërë i gjallë dhe për familjarët e tij. Ndërsa i ati dhe dhjetëra të tjerë qëndrojnë në breg të liqenit prej ditësh, duke pritur që polumbarët të mund të kërkojnë dhe në pjesën e fundit të mbetur. Vetëm atëherë ata do të mund të qetësoheshin se djali i tyre nuk ndodhet në fund të liqenit, por ndodhet diku, i mbijetuar ashtu si dhe pjesa më e madhe e klandestinëve që rrezikuan jetën mbrëmjen e 19 tetorit, në tentativë për të emigruar në Greqi.
Një autobus në Butrint me familjarët e 17-vjeçarit
BUTRINT – Një autobus ka sjellë dje në breg të liqenit të Butrintit dhjetëra familjarë të tjerë të Ndriçim Myftarit, nga fshati Imsht i Bubullimës në Lushnjë. Veç tyre, të tjerë, gra, burra e të rinj janë kthyer nga emigracioni në Greqi e Itali për t’i qëndruar pranë babait të të zhdukurit, Yllit. Një pjesë e tyre kanë shoqëruar operacionin e ditës së djeshme, të organizuar në ujërat e Butrintit, ndërsa të tjerë janë shpërndarë nëpër kodrat përreth, me shpresën për të gjetur ndonjë gjurmë sado të vogël të adoleshentit. Moment pas momenti aty krijoheshin situata dramatike. Njerëz duke lotuar, por edhe duke qarë me zë e fjalë. Lutjet ndaj strukturave të shtetit për të gjetur djalin kanë vijuar të bëhen me forcë edhe nga Bashkim Myftari, xhaxhai i 17-vjeçarit, Ndriçim Myftari, i cili kërkoi të rritet territori i kërkimit në det, por edhe në tokë për nipin e tij. “Kemi tri ditë që rrimë në breg të detit dhe nuk do të ikim deri sa të marrim vesh se çfarë ka ndodhur me djalin tonë”. Një 28-vjeçar, kushëri i Ndriçimit, thotë se ka ardhur nga Greqia sapo ka marrë vesh ngjarjen. “E prisja që të vinte në Athinë, ku punoj dhe unë”, tregon ai. Grupi i të ardhurve i janë afruar të atit të Ndriçimit, Yllit, duke e kurajuar se ndoshta djali i tij mund të jetë gjallë. sh.d
Ekspertiza e kufomave nga Tirana
Ekspertë mjeko-ligjorë të ardhur nga Tirana kanë bërë mbrëmjen e së martës autopsinë e trupave të gjetur paraditen e djeshme në liqenin e Butrintit, që u përkisnin respektivisht shtetasve Fatos Hoxha dhe Amarildo Kuka, nga Fieri. Për dy pjesëtarët e tragjedisë së Butrintit mbrëmjen e së dielës, mjekët kanë pohuar se vdekja u është shkaktuar nga mbytja në ujë. Për pasojë trupat e tyre kanë qenë të fryrë. Pas kryerjes së ekspertizës, herët në mëngjesin e djeshëm, dy kufomat janë tërhequr nga familjarët për t’i vajtuar në shtëpitë e tyre në fshatrat e Fierit, ku dhe do të zhvillohen ceremonitë e varrimit.