E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi prezanton draftin e planifikimit territorial

 

Për të marrë një leje ndërtimi tani do të ketë më pak procedura. Drafti i ri i planifikimit territorial planifikon shkurtim të procedurave të lejeve të ndërtimit, çka synon një zhdërvjelltësi të procesit dhe shmangien e spekulimit, uljen e barrierave dhe evitimin e korrupsionit. Kështu është shprehur dje ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, gjatë prezantimit të projektligjit të ri të planifikimit territorial. Gjatë fjalës së tij, kreu i ministrisë ka vënë në dukje risitë që sjell ky draft. "I është dhënë një forcë më e madhe planifikimit të detyruar, duke vendosur në projektligj mekanizma që precizojnë në mënyrë të qartë që planifikimi i territorit është një proces jo fakultativ, por një proces i detyruar, pra që çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi", ka thënë ministri. Gjithashtu është bërë një përpjekje për ta lidhur më mirë draftin me buxhetin. Ndërkohë me draftin e ri është vendosur një hierarki më e mirë e planifikimit. "I është dhënë një ndarje më e qartë kompetencave të niveleve të ndryshme, duke u prirur drejt delegimit të sa më shumë kompetencave pranë njësive të qeverisjes vendore dhe qarqeve, pra e ndarë sipas niveleve të autoritetit qendror, rajonal dhe lokal. Në dy nivelet e para planet kanë natyrë strategjike, ndërsa në nivelin fundor planet marrin një natyrë më normative dhe rregulluese. Krijimi i një hallke të tillë planifikimi synon të rregullojë dhe koordinimin midis planifikimit të territoreve të ndryshme", ka vënë në dukje ministri Olldashi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›