E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionet, ndryshon koha e formulari për përfituesit

 

Fabiola Çela

Këshilli administrativ i ISSH-së ka miratuar dje rregullat dhe procedurat e reja për caktimin, administrimin dhe pagesën e pensioneve. Sipas rregullores së re, personat që janë në prag pleqërie duhet të plotësojnë një vit përpara kërkesën për të përfituar pension. Së bashku me kërkesën, individët duhet të dorëzojnë edhe disa dokumente, si fotokopje e librezës së punës, certifikatë lindjeje etj.
Kërkesa
Me miratimin e rregullores së re, personat që janë në prag të daljes në pension pleqërie duhet të aplikojnë në agjencitë lokale të sigurimeve shoqërore, një vit para arritjes së moshës për pension, për të plotësuar një kërkesë paraprake për pension, për të dorëzuar fotokopje të librezës së punës, për të deklaruar historikun e punës. Duke pasur parasysh faktin se afati i caktimit të pensionit 45 ditë pas pranimit të kërkesës dhe dokumenteve për pension, një aplikim i tillë 12 muaj përpara mbushjes së moshës do të ndihmonte si aplikuesit për të plotësuar dokumentacionin, ashtu edhe strukturat e ISSH-së për verifikim. Plotësimi i kësaj kërkese një vit para mbushjes së moshës, ka shumë rëndësi për të dy palët, si për administratën e sigurimeve shoqërore, e cila fiton kohë për të caktuar pensionet dhe nga ana tjetër edhe për pretendentët për pension, të cilët e përfitojnë menjëherë pensionin pas mbushjes së moshës. Dokumentacioni i vjetërsisë në punë ka nevojë të verifikohet në burim në origjinë, pra të bëhen akt-verifikime të regjistrave themeltarë, të borderove etj., verifikime të cilat duhet të kryhen në rrethe të ndryshme atje ku është dokumentacioni, me qëllim që të koordinohen, të monitorohen, të mos vonohen verifikimet është krijuar një post i ri pune, që është ai i Inspektorit të Përgjithshëm Koordinues. Afati i përgjithshëm i caktimit të pensionit është i grafikuar, i shkallëzuar me ditë pune në secilën hallkë të procedurës së caktimit të pensionit, tek secili inspektor. Çdo aplikues duhet të kërkojë pajisjen me një mandat, ku njoftohet data e tij e aplikimit. Aplikimi do të pranohet i firmosur nga vetë aplikuesi.

Rregullorja e re

    Plotësimi i kërkesës për përfitimin e pensionit duhet të kryhet 12 muaj para mbushjes së moshës.
    Fotokopje e librezës së punës, në mungesë të saj deklaratë personale për vitet e punës, duhet të dorëzohet së bashku me kërkesën.
    Certifikatë lindjeje me fotografi
    Certifikatë martese për kërkueset femra

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›