E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, PD ofron kompromis

 

BLEDAR HOTI

Partia Demokratike tërhiqet nga qëndrimi i saj për ligjin e hapjes së dosjeve, me synim arritjen e konsensusit me opozitën. Një nga relatorët e këtij projektligji, demokrati Aldo Bumçi ka bërë të ditur dy pika të reja për ligjin e hapjes së dosjeve që shihen si më afër qëndrimeve të opozitës. Bërja publike e dosjeve është pika e parë që demokratët ofrojnë konsensus me opozitën. Zëdhënësi i grupit të PD-së, Bumçi deklaroi se çdo qytetar mund të shikojë dosjen e tij personale. “E drejta për t’u njohur me dosjen e sigurimit i takon çdo qytetari, çdo i persekutuar në regjimin komunist ka të drejtë të njihet me dosjen e tij”, tha deputeti Bumçi. Kjo është e reja që demokratët propozojnë, në lidhje me miratimin e projektligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”. “Pra nëse Sigurimi i Shtetit kishte përgatitur një dosje ndaj tij, kjo është e drejtë e çdo viktime apo të persekutuari që të njihet me dosjen që kishte përgatitur regjimi kundra tij. Pra kjo është një shtesë e re që po bëjmë. Dosjet nuk bëhen publike për këdo. Unë mund të shkoj të kërkoj dosjen time individuale, çfarë kishte përgatitur ai sistem kundra meje gjatë atyre viteve”, deklaroi Bumçi. Në të njëjtën kohë, ish-Ministri i Drejtësisë bëri të ditur se është menduar rikonceptimi i komisionit që do të merret me shqyrtimin e figurave të zyrtarëve, nëse ato janë të pastër ose jo. Për Autoritetin e Kontrollit të Figurave, sipas Bumçit, PD është e hapur që të pranojë çdo formulë që sjell konsensusin e opozitës. “Jo nuk bëhet fjalë për deputetë, por bëhet fjalë për përfaqësues teknikë që do të propozohen nga forca të ndryshme për të ruajtur një barazlargim nga të gjitha forcat. Pra një komision i përbërë që përfaqëson të gjitha palët për të mos u përdorur kundër askujt. E rëndësishme është që komisioni të jetë përfaqësues, të jetë i pavarur dhe të përbëhet nga njerëz me integritet moral dhe qytetar”, deklaroi Bumçi. Ai kërkoi konsensusin e Partisë Socialiste për miratimin e këtij projektligji të rëndësishëm. Por çështja e riverifikimit të figurave, është pika që ndajnë demokratët dhe socialistët. PS ka shprehur mendimin që zyrtarët që janë riverifikuar një herë nuk mund të futen në sitën e Autoritetit të Kontrollit të Figurave. Ndërsa demokratët kanë theksuar se të gjithë duhet t’i rinënshtrohen këtij procesi. Sipas tij, demokratët nëse kanë kaluar një herë provën nuk mund ta kenë problem t’i nënshtrohen kontrollit nga institucionet përkatëse. “Kontrolli i subjekteve që i janë nënshtruar një herë këtij procesi është një pikë që na ndan nga PS. Nga takimet që kemi zhvilluar në muajin korrik, se më pas nuk kemi pasur takime të tjera, qëndrimi i PS-së është se nuk duhet të ketë riverifikim të atyre që janë verifikuar një herë më parë nga komisionet e mëparshme. Ne mendojmë se ai që është kontrolluar një herë, nuk mund të shqetësohet nga një verifikim i dytë”, deklaroi Bumçi në lidhje me çështje. Socialistët kanë deklaruar se projekti i PD-së është vetëm proces lustracioni, fazë e cila për to është kaluar një herë nëpërmjet dy Komisioneve të Kontrollit të Figurave, të cilat më parë kanë qenë nën kontrollin e dy partive të mëdha, PD dhe PS. Projektligji për pastërtinë e figurës ka mëse tre vjet që qëndron në Kuvendin e Shqipërisë, pozita dhe opozita nuk kanë rënë dakord për miratimin e tij. Në kalendarin e punimeve parlamentare nuk është parashikuar dita e seancës se kur do të votohet projektligji që ka mbi tre vjet që fle në sirtarët e komisioneve parlamentare.

“Të vendosur për hapjen e dosjeve”

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, shprehu dje vendosmërinë e qeverisë që “procesi i trajtimit të dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit në Shqipëri të zhvillohet në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe me një konsensus sa më të gjerë politik”. Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, ministri Basha priti në një takim Marianne Birthler. Duke vlerësuar zhvillimin e konferencës, ministri Basha ndërsa vuri në dukje se “ky është një dimension i ri në bashkëpunimin midis dy vendeve tona”, vlerësoi se “eksperienca gjermane në lidhje me trajtimin e të kaluarës komuniste është shumë e vlefshme”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›