E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Po kthejmë "Kandaharin" në Tiranë evropiane"

Kreu i Bashkisë së Tiranës ka akuzuar qeverinë për pengesa primitive në zhvillimin e kryeqytetit


TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, ka inspektuar dje punimet që po kryhen në bllokun nr. 51 të qytetit. Punimet në këtë bllok, përfshijnë zonat që kufizohen nga rrugët "Jordan Misja"-Unaza-"Don Bosko".


Gjatë inspektimit të djeshëm Rama u shpreh se: Këto janë 54 hektarë "Kandahar" që po kthehen në 54 hektarë të Tiranës evropiane dhe që po integrohen me hapësirën e zhvilluar dhe në zhvillim të kryeqytetit, që pavarësisht pengesave primitive, pavarësisht politikës së mbrapshtë dhe të pabesë qeveritare, pavarësisht dritëshkurtësisë dhe babëzisë së atyre që sot qeverisin vetëm për interesat e familjes së Kryeministrit, do të vazhdojë të transformohet dhe do të vazhdojë të kthehet në një qytet ku të gjithë nga qendra deri në periferinë më të largët do të ndihen realisht pjesë e një rruge të përbashkët drejt Europës dhe do të ndihen realisht pjesë e një historie transformimi që është historia e sotme bashkëkohore e kryeqytetit".


Gjatë vizitës në bllokun nr. 51 Rama komentoi edhe kalimin me debate të planit rregullues të Tiranës, në Këshillin Bashkiak. "Pasi e mbajtën planin një vit në sirtar për të bërë propagandën e ulët se nuk ka plan dhe njëkohësisht për të kafshuar ato zona të Planit që janë paraparë si pjesë e hapësirës metropolitane për qytetin e së nesërmes, e miratuan në Këshillin Bashkiak po të shikojmë se sa oreksi i familjes do të ndikojë në miratimin përfundimtar, aty ku drejton kryefamiljari KRRTRSH-në",- u shpreh ai.


Për rikonstruksionin e këtij blloku banimi Bashkia e Tiranës ka akorduar nga të ardhurat e saj një fond prej 249.667.740 lekësh. Ky projekt parashikon se gjerësia e rrugëve do të jetë mes 3 dhe 9 metrave. Po kështu është parashikuar edhe shtrimi i trotuareve me pllaka dekorative. Një tjetër element që ky projekt i kushton rëndësi është edhe parkimi i automjeteve private.


Për ndërtimin e tyre është pasur parasysh nevoja në rritje për sheshe parkimi në zonë dhe për këtë arsye në hartimin e projektit të zbatimit është parë mundësia e ndërtimit të shesheve të parkimit publik shtesë, për banorët e zonës. Në përfundim të punimeve, në këtë bllok banimi parashikohet të ketë edhe një rrjet të ri kolektorësh dhe pusetash për ujërat e shiut dhe të KUZ.


Rrjeti do të jetë i ndarë brenda bllokut dhe do të ketë bashkime tek pikat e shkarkimit në rrugën "Don Bosko". Në rehabilitimin e bllokut nr.51, rëndësi i është kushtuar edhe gjelbërimit, të sipërfaqeve të lulishteve dhe sipërfaqeve pranë rrugëve, me pemë dekorative. Ky projekt parashikon edhe rikonstruksioni i rrjetit elektrik dhe ndriçimit rrugor.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›