Milliband: Ballkani Perëndimor në BE? Kur të jetë gati
Sekretari i jashtëm britanik tha se neglizhenca e vazhdueshme për vendet e Ballkanit mund të sjellë pasoja të mëdha ashtu si në të kaluarën.
TIRANË - Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Milliband, deklaroi dje se
e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi i tyre në Bashkimin Evropian, por kjo do të realizohet vetëm kur këto vende do të jenë gati për t'u bërë pjesë e familjes evropiane.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në Londër, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS) mbi prioritetet evropiane dhe britanike, Milliband vuri në dukje se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, sjell siguri dhe stabilitet në rajon."Gjeografikisht, përgjegjësia jonë kryesore është ndaj Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi Evropian është i vetmi çmim i madh për të siguruar kompromis dhe reforma ndaj rivalëve historikë me interesa personale dhe pikëpamje të pandryshueshme.
Të gjithë 27 vendet anëtare të BE-së e kanë bërë të qartë se anëtarësimi në BE është e ardhmja për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kur ata të jenë gati", - tha ai. Sipas Milliband neglizhenca e vazhdueshme me këto vende, mund të sjellë pasoja të mëdha ashtu si në të kaluarën, duke evidentuar krimet e ndodhura në Kosovë e Bosnjë - Hercegovinë.
Sipas sekretarit të Jashtëm britanik, hapja e gjyqit ndaj të akuzuarit për krime lufte në Sarajevë, Radovan Karaxhiç e sjell në kujtesë mjaft mirë neglizhencën e vendeve të Bashkimit Evropian në vitet '90. "Padyshim, ne i pamë në 1990-ën rreziqet e neglizhimit. Hapja sot e gjyqit të Karaxhiç në Hagë na e kujton këtë", - u shpreh më tej Milliband.
Megjithëse Bashkimi Evropian nuk ka një eksperiencë të dobishme me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë, vende të cilat kanë paraqitur probleme me korrupsionin dhe krimin e organizuar, me miratimin e Traktatit të Lisbonës nga Irlanda, Polonia dhe që pritet të miratohet edhe nga Çekia, duket se vendeve të Ballkanit Perëndimor u është hapur rruga për t'u integruar në BE.
Megjithatë, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian kanë shprehur rezervat e tyre mbi integrimin e këtyre vendeve, veçanërisht për Shqipërinë, të cilave si kusht kryesor u është vendosur plotësimi i standardeve të kërkuara nga BE-ja.
Kjo, u deklarua pak ditë më parë edhe nga ministri i Jashtëm italian, Franko Frantini, i cili theksoi se në BE ka vende që ngurrojnë për marrjen e statusit të vendit kandidat nga ana e Shqipërisë.
Vendi ynë e dërgoi kërkesën për aplikim në muajin prill, ndërkohë që kjo kërkesë pritet të shqyrtohet nga Brukseli ditën e sotme në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Gjatë këtij takimi, mendohet se diskutimi do të fokusohet te situata në Bosnje - Hercegovinë, por edhe çështja e Shqipërisë do të jetë në qendër të vëmendjes. Krerët e diplomacive të Bashkimit Evropian do ta diskutojnë këtë çështje më shumë në aspektin teknik dhe nuk pritet të merret ndonjë vendim konkret.
Takimi me ambasadorin suedez
Kur sot mbahet takimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, për të diskutuar mbi statusin e vendit kandidat të Shqipërisë, dhe kur presidencën e radhës e ka Suedia, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e këtij shteti në vendin tonë, Lars Freden, rezident në Shkup të Maqedonisë. Berisha dhe Freden diskutuan për proceset që po shoqërojnë Shqipërinë për integrimin e saj në BE.
Nëpërmjet këtij takimi, Berisha ka zhvilluar një lloj lobimi për trajtimin e çështjes për statusin e vendit kandidat, kur Suedia udhëheq presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.
Sipas njoftimit zyrtar, në këtë takim është konfirmuar gatishmëria e dy qeverive për të vazhduar bashkëpunimin, për të përmbushur objektivat e qeverisë shqiptare dhe presidencës së radhës së BE-së, në lidhje me hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.