Arrestohet “vrasësi” me pagesë, ishte arrestuar më parë për pengmarrje
Tiranë - Një person i dyshuar si vrasës me pagesë është arrestuar nga Skuadra e Zbulimit të Vrasjeve e Policisë së Tiranës. Elvis Gurra, 28 vjeç, banues në lagjen Kombinat të Tiranës, i dënuar më parë për vrasje me dashje, akuzohet për tentativë vrasjeje të dyfishtë në 17 maj të vitit 2008. Policia dyshon se ai është autor i disa vrasjeve, por nuk konfirmon detaje për arsye hetimore. Gurra ka një dosje shumë të pasur kriminale, ku më e freskëta është ajo e majit të këtij viti. Ngjarja daton në 17 maj të këtij viti, ndërsa “objektivat” dilnin me makinën e tyre nga parkingu i një picerie në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Ngjarja, sipas policisë, kishte për motiv larjen e hesapeve për shkak të aktiviteteve të dyshimta të të plagosurve jashtë vendit. Kurse autori u dyshua se ishte vrasës me pagesë, i përdorur nga grupi rival për të mos lënë gjurmë. Gurra rezulton gjithashtu i arrestuar dhe dënuar më parë me 5 vjet burg për vrasjen e së ëmës, Nurie Gurra. Elvis Gurra, më 14 tetor 2004, rreth orës 13:00, ndërsa po qëndronte në katin e dytë të banesës se tij se bashku me nënën Nurie Gurra, ka parë që ajo ka marrë një armë zjarri të cilën ai e mbante në dhomë. Gurra ka pretenduar se në tentativë për t’ia marrë armën mamasë, ajo është zbrazur duke qëlluar të ëmën. Në nëntor të këtij viti, Gurra u bë personazh i njohur edhe për mediat. Ai u mor peng nga dy persona, të cilët e keqtrajtuan dhe tentuan ta varrosnin të gjallë. 28-vjeçari arriti të largohej në kohë prej pengmarrësve dhe të shpëtonte. Policia mundi të vinte në pranga organizatorin e rrëmbimit të Gurrës, shtetasin Aleksandër Akulli, 35 vjeç, miku i Domit dhe Gorozhjanit, të cilët Gurra tentoi t’i eliminonte në maj të këtij viti. Akulli e akuzonte Gurrën për tentativën e vrasjes ndaj tij dhe dy shokëve. Për këtë vetëgjyqësi, Akulli u arrestua nga policia.
11 Dhjetor 2008