Reagimi i Shoqatës së Prokurorëve, katër pikat që u kundërshtuan
Disa ditë më parë, Shoqata e Prokurorëve doli kundër disa pikave të draftit që po përgatitej, ndonëse ishte pjesëmarrëse në procesin e përgatitjes së saj. Në një takim të organizuar nga disa organizata joqeveritare, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të EURALIUS-it, kreu i saj, Shkëlqim Hajdari, kërkoi që ligji i ri duhet t’u garantojë prokurorëve: pavarësi nga organet ekzekutive dhe nga ndikimet politike, në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese; përfshirje në këtë projektligj të neneve që do të rregullonin më mirë organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë midis shkallëve të saj dhe midis trupës së prokurorëve dhe Zyrës së prokurorit të Përgjithshëm dhe përmirësime për të arritur, që bazuar në kritere profesionale, të identifikohen prokurorët e aftë dhe të përkushtuar me qëllim mbështetjen dhe ngritjen e tyre në karrierë nga njëra anë dhe identifikimin e nxjerrjen jashtë sistemit të prokurorëve të paaftë apo të korruptuar. Hajdari ka parashtruar katër çështje që të përfshihen në ligj: 1- Në rast shkarkimi nga detyra të një prokurori atij t’i njihet e drejta që nëse gjykata konstaton se shkarkimi është i pabazuar në ligj, prokurori të përfitojë pagën për periudhën që ka qenë pa punë dhe të kthehet në detyrën që ka pasur.
2- Numri i anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë të jetë më i madh sesa parashikohet në projektligj, por Këshilli të ruajë statusin e tij si organ këshillimor dhe sugjerues i prokurorit të Përgjithshëm.
3- Raportimi në Parlament i ministrit të Drejtësisë për punën e Prokurorisë, për mendimin tonë, është i panevojshëm, pasi do të politizonte punën e Prokurorisë dhe nuk do të përmirësonte realisht punën e saj.
4- Në lidhje me nenin e shmangies së konfliktit të interesit, jemi dakord me përmbajtjen e tij. Por mendojmë se në rastin kur prokurori i Përgjithshëm është në konflikt interesi, atëherë ai duhet të deklarojë me shkrim gjendjen e tij dhe kjo duhet të mjaftojë.
Hajdari ka kërkuar që prokurorët të jenë të mbrojtur në ushtrimin e funksioneve të tyre nga trysnia apo ndërhyrja e Ekzekutivit. Në përfundim të takimit u miratua edhe një deklaratë nga përfaqësuesit e Shoqatës së Prokurorëve, të Gjyqtarëve dhe disa organizatave të ndryshme, ku kërkohej që Ekzekutivi dhe Kuvendi të respektojnë pavarësinë e Gjyqësorit.
11 Dhjetor 2008