Qeveria kalon draftin që “ndëshkon” kryeprokurorin
Pas një periudhe disamujore debatesh të ashpra për ndryshimet e ligjit për Prokurorinë, më në fund Këshilli i Ministrave i kaloi për miratim Kuvendit paketën ligjore, e cila lë shtigje të hapura për ndëshkimin e organit të akuzës nga institucioni i qeverisë. Burimet për gazetën bëjnë të ditur se Berisha ka lënë në fuqi paketën e propozuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas të cilit merren masa disiplinore për Prokurorinë e Përgjithshëm, me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë, i cili kalon për miratim në Kuvend. Presidentit i paraqitet masa disiplinore, si dhe kontestimet nga drejtuesi i Akuzës, por ai nuk ka të drejtë që të rrëzojë vendimin që është marrë në Kuvend.
Ky projektligj vjen si një kërkesë e domosdoshme për ndryshimin e kuadrit ligjor të Prokurorisë, si dhe synon që të saktësojë dhe qartësojë raportet e këtij institucioni me institucionet e tjera dhe të bëjë efikase të gjithë strukturat e hierarkisë së organit të akuzës. Që prej muajit maj të këtij viti kanë nisur konsultimet me grupet e interesit dhe vetëm në fund të muajit tetor përfundoi edhe asistenca e huaj për këtë draft, ku u dhanë disa sugjerime nga misioni europian për reformën në drejtësi, EURALIUS, nga ekspertët amerikanë të OPDAT-it, si dhe nga Shoqata e Prokurorëve.
Raportet mes Akuzës dhe qeverisë
Qeveria e ka vendosur që të krijojë hapësira ligjore për të ndëshkuar institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në nenin 56 të projektligjit, përmes të cilit përcaktohen raportet mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, lejohet “procedimi disiplinor” për prokurorin e Përgjithshëm. Në ndryshim nga ligji në fuqi, në draft është propozuar që ministri i Drejtësisë raporton një herë në vit në Kuvend për punën e Prokurorisë; propozon procedime për të cilat organi i akuzës paraqet kontestimet e saj dhe më pas ato i kalojnë presidentit. “Rekomandimi për procedim disiplinor dhe përgjigjja e prokurorit të Përgjithshëm i njoftohen Presidentit të Republikës”, - thuhet në projektligj. Kjo ka qenë ndër pikat më të nxehta të diskutimeve të bëra deri tani, por që qeveria ka deklaruar publikisht se nuk do të tërhiqet nga kjo çështje.
Në Nenin 56 thuhet konkretisht: “Ministria e Drejtësisë ushtron kontroll në organin e Prokurorisë në këto drejtime: a - zbatimi i prioriteteve të rekomanduara vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit; b - respektimi i detyrimeve ligjore për ekzekutimin e vendimeve penale nga prokurori; c - garantimi i të drejtave të të proceduarve, shtetas shqiptar ose të huaj, në marrëdhëniet juridiksionale me autoritetet e huaja; d - rregullshmëria e mbajtjes dhe administrimit të statistikave dhe regjistrimit të veprave penale. Pra, përmes këtyre pikave tentohet që të shmanget e drejta e Ekzekutivit për të ndërhyrë në procesin hetimor, çështje kjo e ngritur disa javë më parë në media nga grupet e interesit.
Zgjedhja e prokurorit
Ky projektligj zgjidh njëherë e mirë problemin aq të debatuar në kohën e Theodhori Sollakut për çështjen e afatit të mandatit të kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas propozimit të bërë nga hartuesit e projektligjit, mandati i prokurorit të Përgjithshëm është 5-vjeçar, me të drejtë rizgjedhje. Po ashtu përcaktohen edhe kritere të tjera si; kreu i organit të akuzës duhet të ketë jo më pak se 10 vjet eksperiencë në sistemin e Drejtësisë dhe të shquhet për aftësi profesionale dhe figurë të pastër etiko-morale. Paketa ligjore e propozuar parashikon edhe pozicionin e kryeprokurorit pas përfundimit të mandatit të tij. Në të thuhet: “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme ose në vendin e mëparshëm, ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”. Një nga kleçkat e këtij drafti, që ka ngjallur debate deri në hartimin e plotë të paketës ligjore, ka të bëjë me rastin kur prokurori i Përgjithshëm ka konflikt interesi në hetimin e një çështjeje. Gjithsesi, “imuniteti” i kryeprokurorit është i përcaktuar me Kushtetutë, i cili i garanton një status solid. (Shih Nenin 48 të Kushtetutës.)
Këshilli i Prokurorisë
Një tjetër pikë e nxehtë ka qenë edhe funksionimi i Këshillit të Prokurorisë, i cili edhe në draftin e ri nuk ka ndryshime esenciale përsa i përket numrit të anëtarëve. Ndonëse kjo pikë ngjalli debate mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, sërish numri i anëtarëve mbetet 7. Në paketën e propozuar saktësohet përbërja e tij, ku një anëtar është përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë. Në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë mund të marrë pjesë edhe një përfaqësues i Presidentit. Po ashtu saktësohet misioni i tij; “Këshilli i Prokurorisë kryen funksione këshillimore në ndihmë të prokurorit të Përgjithshëm”. Mënyra e funksionimit të Këshillit të Prokurorisë nuk lihet në dorën e kryeprokurorit, por përcaktohen ligjërisht në një paketë prej 7 pikash. Kështu që “prokurori i Përgjithshëm” zhvishet nga disa kompetenca, të cilat i ka aktualisht me ligj. Ndonëse parashikohen edhe raste të përplasjes mes tyre, në draftin e propozuar thuhet: “Në rastet kur prokurori i Përgjithshëm nuk është dakord me mendimet e sugjeruara nga Këshilli, vendimmarrjen e tij ndryshe e parashtron të arsyetuar”, por sërish nuk parashikohet një “zgjidhje” kur palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.
Ligji për prokurorët
Në draftin e përgatitur saktësohen dhe përcaktohen emërimet e prokurorëve të thjeshtë, por kësaj radhe sipas skemave të organizimit të ri të sistemit gjyqësor. Pra këtu përcaktohen modalitetet për prokuror të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranë Gjykatës për Krime të Rënda. Ky projektligj merr në shqyrtim edhe rastet e ndalimit dhe të hetimit të prokurorëve. Në Nenin 36 janë bërë këto modifikime:
“1. Prokurori nuk mund të ndalohet ose të arrestohet pa pëlqimin e prokurorit të Përgjithshëm, veç rasteve të kapjes së tij në flagrancë.
2. Në rastin e arrestit në flagrancë organi procedues njofton menjëherë prokurorin e Përgjithshëm. Nëse prokurori i Përgjithshëm brenda 24 orëve nga çasti i arrestimit nuk jep pëlqimin, arresti në flagrancë e humbet fuqinë”. Një ndër pikat që merr përsipër të përmirësojë paketa e re ligjore, e cila ishte në listën e kërkesave të Shoqatës së Prokurorëve, është ajo e fitimit të së drejtës për rikthimin në detyrë të prokurorëve të shkarkuar. Në Nenin 34, të ndryshuar sipas draftit, thuhet shprehimisht: “Kur gjykata vendos se shkarkimi nga detyra është i pabazuar në ligj, prokurori rikthehet në të njëjtën detyrë, ose në një pozicion të barasvlershëm dhe përfiton pagën deri në rikthimin në punë”. Kjo paketë e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë synon të përmirësojë kuadrin ligjor edhe për drejtuesit e prokurorive në nivele të ndryshme, sanksionon në mënyrë të qartë mënyrën e ndërtimit të “regjistrit të prokurorëve”, vlerësimin e punës, ngritjen në detyrë të prokurorit, ruajtjen e statusit për një afat të përcaktuar, pagat dhe shpërblimet dhe funksionimin e administratave pranë institucioneve të Prokurorisë në të gjitha nivelet. Po kështu, projektligji i miratuar tashmë nga qeveria ridimensionon marrëdhëniet mes Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, ku kësaj radhe përcaktohet qartë roli i prokurorit në funksionimin e drejtimin dhe kontrollimin e veprimtarisë hetimore të Policisë Gjyqësore”.
Tashmë që procesi është në fund të tij, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 8737, datë 12.02.2001, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar me Ligjin Nr. 9102, datë 10.07.2003”, pritet të diskutohet në komisionet parlamentare dhe të votohet në Kuvend me 3/5 e votave. Ky është ndryshimi i tretë që i bëhet paketës ligjore për prokurorinë që prej miratimit të saj nga Kuvendi i Shqipërisë.
11 Dhjetor 2008