Ndryshimet për Prokurorinë dhe përplasjet maxhorancë-opozitë
TIRANË – Kryeministri Berisha i ka bërë ftesë opozitës që të bashkëpunojë në miratimin e paketës së re ligjore për Prokurorinë, duke ofruar gatishmërinë e bashkëpunimit për kalimin në Parlament të projektligjit, i cili kërkon votat e 84 deputetëve. Drafti ligjor “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Republikës së Shqipërisë i ndryshuar” kaloi në Këshillin e Ministrave dhe prej andej do të diskutohet në komisionet parlamentare dhe në sallën e Kuvendit. Përmes një deklarate të bërë dje, kreu i maxhorancës u shpreh: “Shfrytëzoj rastin t’i bëj thirrje opozitës që këtë draft ta shqyrtojë, të bëjë vërejtjet e veta, të paraqesë mendimet, sugjerimet dhe ta miratojmë bashkërisht”.
“Shpresoj që opozita të shohë në këtë institucion domosdoshmërinë e pavarësisë dhe funksionimit të tij, sipas ligjit, si interesi më i mirë i opozitës, qeverisë dhe shoqërisë shqiptare. Ndaj dhe unë shpresoj që të arrijmë në një lloj mirëkuptimi”, - tha Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë. “Pavarësisht nga përpjekjet për politizimin e këtij institucioni, opozita, aq sa qeveria, duhet të jetë e interesuar për një institucion të pavarur akuze në variantin për të cilin ka një dakordësi të plotë”, - tha kreu i maxhorancës. Ai tha se ky projektligj është fryt i një bashkëpunimi të gjatë shumëmujor midis institucioneve dhe një ekspertize të shkëlqyer të dy misioneve që asistojnë institucionet e vendit në fushën e ligjeve, EURALIUS dhe OPDAT”. Pak ditë më parë drafti është dërguar nga Ministria e Drejtësisë në Këshillin e Ministrave. Që prej një muaji ekspertiza ndërkombëtare ka dhënë paketën dhe propozimet e saj për ndryshimin e ligjit aktual. Tashmë fati i kësaj nisme ligjore do të varet nga marrëveshjet politike që do të arrijnë maxhoranca dhe opozita në Kuvend.
11 Dhjetor 2008