E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përllogaritja e përqindjeve, bankat duhet të afishojnë edhe shembujt



Punonjësit e bankës duhet të jenë transparentë për të informuar klientin, por një përgjegjshmëri po kaq të madhe duhet të kenë, sipas rregullores, edhe vetë klientët. Ata duhet të jenë sa më kërkues. Me anën e shembujve, të cilët bankat duhet që t’i afishojnë nëpër tabela të caktuara, klienti do të orientohet se si dhe sa para do t’i mbahen për një sasi të caktuar parash që ai ka marrë në formën e kredisë nga një bankë. Kjo rregullore përcakton edhe shumë detyrime të tjera që kanë bankat e nivelit të dytë kundrejt klientëve dhe mënyrës se si duhet të orientojnë shërbimet që ofrojnë ndaj tyre. Kështu, nëse klienti merr 1 mijë euro kredi në një bankë të nivelit të dytë me afat 1-vjeçar shlyerjeje, ai do t’i kthejë bankës 88 euro përgjatë kësaj kohe, sipas shembullit përkatës. Por çdo gjë varet nga interesi që banka ofron dhe nga monedha në të cilën merret kredia. Por detyrimi i klientit ndaj bankës nuk është vetëm ky, pasi në të vërtetë banka i mban atij edhe një shumë të caktuar si detyrim shërbimi.

BB: Kriza do ta prekë Shqipërinë në 2009-n në disa sektorë

Vendet në zhvillim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, do të jenë më të prekurat nga kriza botërore, pasojat e së cilës do të ndihen më shumë në vitin 2009. Sipas "Perspektivës Ekonomike Globale" 2009, botuar nga ekspertët e Bankës Botërore, ekonomia globale po kalon një tranzicion nga një periudhë afatgjatë rritjeje, të kryesuar nga vendet në zhvillim, në një periudhë të madhe pasigurie, ndërsa kriza financiare në vendet e zhvilluara ka tronditur tregjet kudo në botë. Duke u ndalur te parashikimi i bërë për vendet si Shqipëria, raporti i BB-së thotë se, në momentin kur volumi tregtar botëror pritet të tkurret afërsisht 2.1 për qind në vitin 2009, vendet në zhvillim do të përjetojnë rënie të konsiderueshme në nivelin e eksporteve. Kushtet më shtrënguese të kreditimit dhe pasiguria në rritje pritet të shohin ngadalësimin e rritjes së investimeve si në vendet në zhvillim, ashtu edhe në vendet e pasura dhe të zhvilluara në vitin 2009, të cilat do të bien në 1.3 për qind për vendet e zhvilluara dhe do të rriten vetëm me 3.5 për qind në vendet në zhvillim përkundrejt shifrës 13 për qind në vitin 2007. Vendet në zhvillim do të shënojnë një rritje në 4.5 për qind vitin tjetër, çka dëshmon një rënie kundrejt 7.9 për qind të arritur në vitin 2007. Rritja ekonomike në të gjithë planetin nuk do jetë më shumë se 0,9 për qind në 2009-n dhe se tregu botëror do të regjistrojë një tkurrje me 2,1 për qind. Prodhimi i Brendshëm Bruto në vendet e zhvilluara do të tkurret me 0,1 për qind, sipas llogaritjeve të BB-së.

11 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›