Transparenca, bankat janë të detyruara t’i llogarisin klientit përqindjen dhe këstet e kredisë
Rregullorja është e detyrueshme për të gjitha bankat e nivelit të dytë. Euroja ka prekur minimumin e saj në 5 muajt e fundit
Ervin Koçi
Ulja e normës bazë të interesit të euros në të gjitha bankat europiane nuk ka pasqyruar ndikimin e saj në bankat tregtare në vendin tonë, edhe pse bankat “mëma” të tyre janë në vendet e eurozonës. Por, me gjithë ndryshimet në kursin ndërkombëtar të valutës, asnjë shpresë nuk është shfaqur në horizont për klientët shqiptarë të bankave private, madje edhe ata kredimarrës që kreditë e tyre i kanë marrë në monedhën e përbashkët europiane, euro. Monedha e përbashkët europiane ka prekur minimumin e saj në 5 muajt e fundit ndaj dollarit amerikan. Kështu, sipas statistikave zyrtare, euroja po këmbehet me 1.2 dollarë dhe parashikimet janë për një dobësim të vazhdueshëm. Sipas ekspertëve bankarë, të gjithë ata klientë që huat e tyre i kanë marrë në euro në bankat e nivelit të dytë në vend, duhet të paguajnë gjithnjë e më pak përqindje ndaj bankave. Por kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por në të kundërt, bankat private i kanë mbajtur të larta normat e interesit për kreditë në euro. Për të garantuar transparencën e bankave kundrejt klientëve, Banka e Shqipërisë ka nxjerrë një rregullore për llogaritjen e normave të interesit të kredive.
Transparenca
Menjëherë pas ligjit të ri, që synonte forcimin e masave për sigurimin e kredive që bankat private në Shqipëri jepnin, BSH-ja kërkoi dhe më shumë transparencë për klientin. Këtë BSH-ja ua vuri si detyrim bankave private në vend, të cilat, përveç informimit që duhet t’u bënin klientëve për përfitimet dhe detyrimet, duhet që të afishonin dhe të gjitha normat e interesit të valutave, kursin e tyre, si dhe të llogaritin koston e përqindjes që klienti duhet të paguajë çdo herë që bën derdhjen e këstit. Ky ka qenë thelbi i një rregulloreje të re që ka miratuar Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjatë një prej mbledhjeve të tij të fundit. Rregullorja parashikon kryesisht masa të veçanta për monitorimin e rrezikut nga kredidhënia në monedhë të huaj ose të indeksuar me kurs këmbimi, e cila mund të shfaqë rrezik kryesisht në rastet kur kredimarrësit gjenerojnë të ardhura në monedhë vendase. Kjo masë e BSH-së është në vijimësi të ndryshimeve të marra më parë nga autoriteti qendror bankar ndaj bankave të nivelit të dytë me qëllim reduktimin e rrezikut që mund t'u vijë bankave nga moskthimi i kredive.
Rregullorja
Të gjitha bankat e nivelit të dytë, që operojnë në vendin tonë, duhet të zbatojnë rregulloren gjatë dhënies së kredive. Ato detyrohen që të realizojnë një llogaritje të normave të interesit me anë të një metodike të caktuar. Ky interes duhet që t’i bëhet i ditur klientit dhe të jetë pjesë e kontratës që duhet të lidhet me bankën. Prandaj klienti duhet të bëjë kujdes edhe gjatë leximit të kontratës. Rregullorja e nxjerrë nga BSH-ja mungonte deri tani për rregullimin e marrëdhënieve kontraktuale bankë-klient (kredimarrës). Për këtë arsye është nxjerrë edhe një rregullore tjetër për marrëveshjet e riblerjes, që pritet të vihet shumë shpejt në funksionim. Klientët e bankave shpesh nuk marrin informacionin e duhur për shkak të mosbërjes transparente nga ana e punonjësve të bankës të kushteve të dhënies së një kredie. Rregullorja parasheh ndryshime në normat mbikëqyrëse për ekspozimet e mëdha në përputhje me përcaktimet e ligjit “Për bankat”. Aty vendosen disa kufizime për kredidhënien e bankës ndaj personave me një marrëdhënie të veçantë me të, bëhen përcaktime të kolateralit, që do të njihet si element zbritës në llogaritjen e këtij ekspozimi, si dhe përjashtohen apo përfshihen në shuma të reduktuara, disa marrëdhënie në aktiv dhe angazhime jashtë bilancit të bankës me persona/klientë ose grup personash/klientësh të lidhur, për qëllime të llogaritjes së ekspozimit të madh. Në rregullore përcaktohen gjithashtu kërkesa mbikëqyrëse e raportuese lidhur me monitorimin e vazhdueshëm të ekspozimeve të mëdha.
11 Dhjetor 2008