Bllokohen kokainë dhe heroinë në autobusin e linjës “Tiranë-Selanik”, dy në pranga
KORÇË – Rikthehet trafiku i drogës përmes Korçës drejt Greqisë, ku vetëm mbrëmë policia ka arritur të sekuestrojë në autobusin e linjës “Tiranë-Selanik” 3 kilogramë kokainë gjatë një kontrolli në Pikën Kufitare të Kapshticës, si dhe janë vënë në pranga tre trafikantët. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar me emrin “Debatiku”, u bë i mundur arrestimi i shtetasit Artiol Sula, lindur dhe banues në Korçë, si dhe i shtetases Neada Kota, lindur dhe banuese në Korçë. Dy personat e arrestuar, të cilët janë emigrantë në Greqi, u kapën në flagrancë në vendkalimin kufitar të Kapshticës, në kohën që po udhëtonin në drejtim të Greqisë me autobusin e linjës “Altrans”, Tiranë-Selanik, pasi u janë gjetur një sasi prej 2.7 kilogramësh kokainë, e cila iu gjet e fshehur në trupin e 23-vjeçarit Sula. Droga ishte e paketuar në tri pako të lidhura me natriban.
Nga hetimet e kryera rezultoi se i dyshuar si bashkautor i këtij trafikimi të lëndëve narkotike është edhe shtetasi Asqeri Bebri, lindur dhe banues në Korçë, i dënuar më parë po për të njëjtën vepër penale. Burimet policore bëjnë të ditur se 40-vjeçarit Bebri iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme parash si dhe automjeti tip “Benz”, me targa KO 4654 B, që ishte në pronësi të tij. Sipas burimeve zyrtare, gjatë kontrollit të 19-vjeçares Kota u gjetën dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 300 gramë lëndë narkotike, e ngjashme me atë të llojit heroinë, e paketuar në një qese plastmasi. Policia tha se janë kryer veprimet procedurale për tre personat, të cilët akuzohen për veprën penale të “trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”. Çështja pritet t’i kalojë për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. Rreth dy muaj më parë Policia e Korçës ndaloi tre persona, mes të cilëve edhe një studente, me një sasi të konsiderueshme heroine, të cilën po tentonin ta trafikonin drejt Greqisë.
11 Dhjetor 2008