E Diel, 1 Nëntor 2026

Kambizmi ilegal, ndalohen dy persona



LIBRAZHD – Edhe dy persona të tjerë kanë rënë në grackën e policisë, gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre ilegal për këmbimin e valutave. Ata janë ndaluar në qytetin e Librazhdit dhe po hetohen në gjendje të lirë, pasi ushtronin aktivitet të paligjshëm të këmbimit valutor. Burime të policisë bënë të ditur se "dy shtetasit Shaqir Koçi, 59 vjeç, dhe Petrit Leka, 41 vjeç, të dy lindur e banues në qytetin e Librazhdit u kapën në flagrancë duke kryer këmbim valuator në mënyrë të palicencuar në këtë rreth". Pak javë më parë policia organizoi disa operacione në rrethe të ndryshme të vendit ku ndaloi me dhjetëra persona që ushtronin këtë aktivitet pa patur licencë dhe sekuestroi një sasi të konsiderueshme parash.

Përplasja, nis hetimi për drejtuesin e mjetit nga Shijaku

DURRËS – Përplasja mes një makine dhe një motori, ka sjellë plagosjen e drejtuesit të motorit, ndërkohë që kanë nisur hetimet për drejtuesin e mjetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ditën e martë nisi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit Albert Tusha, lindur dhe banues në Shijak. Procedimi ndaj 29-vjeçarit filloi për arsye se rreth orës 18.00 të dy ditëve më parë, tek “Katër Rrugët” në Shijak, gjatë kohës kur drejtonte automjetin fuoristradë, tip Kia, me targa BH 813 LB, ka aksidentuar lehtë shtetasin A.Gj., 52 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në komunën Xhafëzotaj. I aksidentuari ndodhet në Spitalin Rajonal të Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Shoferi Tusha nuk kishte dëshmi për drejtimin e mjetit.

Zihen me gurë, përfundojnë në komisariat

KRUJË – Dy persona janë zënë me njëri-tjetrin, duke përdorur mjete rrethanore, gjë që ka sjellë edhe plagosjen e tyre, por më pas janë ndaluar. Burimet zyrtare të Policisë së Krujës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së martës dy persona kanë bërë denoncim në polici kundër njëri-tjetrit, gjë që ka sjellë edhe ndalimin e tyre. Sipas tyre, janë ndaluar shtetasit Mustafa Daci, lindur dhe banues në Krujë dhe Fatjon Selimi, lindur në Krujë dhe banues në Shijak. Burimet policore shtojnë se shtetasit në fjalë pretendojnë se më datë 20.07.2008, rreth orës 18.00, në vendin e quajtur “Zim Zenel” në Krujë, gjatë një konflikti të çastit, kanë goditur njëri-tjetrin me mjete të forta, duke marrë të dy dëmtime të lehta”. Të dy akuzohen për veprat penale të plagosjes së lehtë me dashje dhe prishjes së rendit dhe qetësisë publike.

24 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›