E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet zjarrvënësi i pyllit të Kolonjës, u dogjën 150 hektarë pyje



KORÇË - Pas zjarrit të shkaktuar katër ditë më parë në pyllin e Gërmenjit, në zonën Kolonjë -Leskovik, është vënë në gjendje arresti një 21-vjeçar, i akuzuar si shkaktar i vënies së zjarrit. Burime zyrtare të Policisë Rajonale të Korçës bënë të ditur është prangosur të martën me akuzën e "shkatërrimit të pronës" shtetasi Saimir Çuka, banues në Leskovik. Sipas policisë, 21-vjeçari është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi dyshohet si autor i vënies së zjarrit në malin e Thekrës, në afërsi të fshatit Radat të rrethit të Kolonjës. Si pasojë e rënies së këtij zjarri katër ditë më parë, sipas të dhënave të policisë, është dëmtuar një sipërfaqe pyjore prej afro 150 hektarësh. Fillimisht policia deklaroi se kjo zjarrvënie mund të ishte shkaktuar nga një grup emigrantësh klandestinë, por nga hetimet e mëtejshme ka dalë se autor i saj rezulton të jetë 21-vjeçari Çuka. Në kuadrin e masave për të parandaluar rënien e zjarreve dhe shkatërrimin e pronës, efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Korçës kanë ndaluar edhe dy banorë nga fshati Pojan, të cilët akuzohen se në rrethanat e pakujdesisë, kanë shkatërruar me zjarr një pemëtore të bashkëfshatarit të tyre.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›