E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolonjë, riaktivizohet zjarri në kufi me Greqinë



KORÇË - Riaktivizohet vatra e zjarrit në rrethin e Kolonjës, në pyjet e Shelegunit, në kufi me shtetin grek. Në vendin e rënies së zjarrit kanë shkuar rreth 80 forca nga Policia Pyjore e rrethit të Kolonjës dhe nga Komanda Mbështetëse Rajonale. Sipas burimeve policore mësohet se flakët kanë përparuar gjatë gjithë mesditës së djeshme si pasojë e shpejtësisë së erës. Burimet raportuan se deri pasditen e së martës janë shkrumbuar mbi 5 hektarë,me dru halorë. Flakët kanë kaluar edhe jashtë kufirit tonë. Pala shqiptare ka kërkuar ndihmë nga strukturat e emergjencave të shtetit fqinjë. Sipas policisë, ende nuk mund të flitet për shkakun e rënies së zjarrit, apo për ndonjë person të dyshuar si zjarrvënës. Pranë zonës së përfshirë nga flakët nuk ka qendra të banuara. Vitin e kaluar u shkaktuan dëme kolosale në këtë zonë si pasojë e rënies së zjarreve, ku shumica prej tyre ishin të qëllimshme.

Zjarret rrezikojnë banesat në fshatrat e Librazhdit

LIBRAZHD - Një zjarr i madh ka përfshirë një zonë malore në Librazhd duke vënë në rrezik banesa dhe dhjetëra hektarë pyje. Flakët e zjarrit i janë afruar fshatit Floq dhe për shuarjen e tij në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e zjarrfikëses. Sipas burimeve zyrtare, vetëm gjatë mbrëmjes është bërë e mundur shuarja e flakëve. Në operacione kanë marrë pjesë punonjësit e repartit zjarrfikës, strukturat e Policisë së Rendit dhe asaj Pyjore. Në ndihmë kanë ardhur edhe banorët e zonës, të cilëve u rrezikoheshin banesat si pasojë e zgjerimit të sipërfaqes së zjarrit. Ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri i cili ka përfshirë sipërfaqe të tëra me pyje duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.

Vodhën 4 milionë lekë, pranga adoleshentëve

ELBASAN - Policia ka vënë në pranga dy adoleshentë, të akuzuar për vjedhjen e një banese dhe një lokali. Lajmi bëhet i ditur nga Policia e Elbasanit, e cila njofton se dje është bërë ndalimi i shtetasve B. A., 14 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në fshatin Katund i Ri, në Bradashesh dhe M. M., 16 vjeç, banues në të njëjtin fshat”, - thanë burimet policore. Adoleshentët akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur banesën dhe lokalin e një shtetasi, emri i të cilët nuk bëhet i ditur. “Të dyshuarit kanë marrë gjithë materialet brenda lokalit, vlera e dëmit llogaritet në rreth 4 milionë lekë”, - thanë të njëjtat burime. Materialet për këtë çështje i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë së Rrethit, ndërkohë që policia sqaron se mbi ta rëndon akuza e vjedhjes në bashkëpunim.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›