E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrëthyesi rikthehet dy net në skenën e TKOB

Pas suksesit që pati baleti Arrëthyesi do të rikthehet për publikun kryeqytetas në datat 16 dhe 17 janar. Nën koreografine e mjeshtrit Ilir Kerni, ky balet do të ringjitet edhe një herë në skenë për të përcjellë gjithë magjinë e tij. Koreografi Ilir Kerni së bashku me solistët përcollën emocione në skenën e TKOB. Vepra më popullore e Çajkovskit, baleti Arrëthyesi, i cili erdhi premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ishte një tjetër sukses në skenën operistike.

I konsideruar si një prej baleteve më të suksesshëm sot në të gjithë botën, dhe për publikun shqiptar ai rezultoi një shfaqje e suksesshme.  Me skenografi të kroatit Zorz Drausnik, kostumet nga Elva Bella dhe dirigjent Petrika Afezolli, baleti solli disa net emocionuese në skenën e TKOB. Në këtë premierë, spikatën dhe shumë balerinë të rinj, të cilët me interpretimet e tyre sollën momente të mrekullueshme në skenë. Vepra, e cila erdhi për publikun në datat 13, 16,17, 18 dhe 19 dhjetor, nata e fundit e baletit Arrëthyesi ishte dita e solidaritetit artistik me fëmijët, që meritojnë përkrahjen e shoqërisë, ata të cilët kanë njohur humbjen e të dashurve të tyre në krye të detyrës, ata të cilët të penguar nga vështirësitë ekonomike nuk kanë njohur ditë të gëzuara, ata të cilët kanë përjetuar dhe përjetojnë braktisjen në moshë të njomë si dhe të gjithë ata që kanë nevojë të ndjejnë dorën e ngrohtë të ndjenjave miqësore dhe prindërore. Në këtë natë artistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit i dhuruan kënaqësinë e artit të tyre për t'u kthyer këtyre fëmijëve buzëqeshjen e ditëve të festës. Këta fëmijë në gjirin e artistëve u ndjenë zotër të sallës më prestigjioze të vendit dhe midis një publiku të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe organizmave të lartë qeveritarë dhe joqeveritarë. Ashtu si personazhi i baletit të magjishëm të Çajkovskit - Droselmejer i dhuron Klarës së vogël kukullën e Arrëthyesit, ashtu dhe Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit u dhuroi atyre shfaqjen që në gjithë botën këto ditë është simbol i dashurisë njerëzore dhe i ndjenjave më të mira për fëmijët që janë e ardhmja e çdo shoqërie. Koreografi Ilir Kerni u shoqërua në skenë dhe nga balerinë të tjerë të njohur si Enada Hoxha, Gerd Vaso, Ledia Sulaj, Elton Merja, Evis Nallbani, Dion Gjinika, Fatjon Lito, Jonida Onuzi, Rovena Shqevi, Elona Dervishi, Adela Muçollari, Greta Hushi, etj.

Last Updated on E Marte, 12 Janar 2010 22:26

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›