E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrihet konsensus për reformën zgjedhore. A do të shtohen shanset për kandidaturën e Shqipërisë në BE?

Share

Nga Eduard Zaloshnja

Shumica e mediave shqiptare njoftuan sot se është arritur konsensusi mes ekspertëve të PD-së dhe PS-së që po merren me reformën zgjedhore. Detajet përfundimtare të reformës do të saktësohen pasditen e sotme, rreth orës 17:00, në mbledhjen e fundit të komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore. Po e lëmë komentimin e reformës për nesër, pasi ajo të zyrtarizohet, dhe le të bëjmë një koment në të nxehtë për shanset e marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE këtë vjeshtë.

Ka muaj që diplomatë dhe politikanë të BE-së përmendin Marrëveshjen e Nëntorit si një kusht absolutisht të domosdoshëm për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE këtë vjeshtë. Në Marrëveshjen e Nëntorit, përveç reformës zgjedhore, përfshihej edhe reforma parlamentare dhe ajo e imuniteteve. Por, pa më të voglin dyshim, ajo zgjedhore ishte më e rëndësishmja dhe më e vështira për tu realizuar. Sepse nga ajo mund të varet rotacioni i pushtetit në 2013-ën Dhe shteti shqiptar, në 100 vjetët e ekzistencës së tij, ka njohur vetëm një rotacion pushteti përmes zgjedhjesh në kushte normale!

Hamendje: Dy reformat e tjera (ajo parlamentare dhe e imuniteteve) do të përfundojnë deri në mbyllje të sesionit aktual parlamentar. Komisioni Europian do ti propozojë Këshillit të Ministrave të 27 vendeve të BE-së që Shqipërisë ti jepet një status i kushtëzuar për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE, të ngjashëm me atë që iu dha Malit të Zi vjet në vjeshtë. Ky status do ti aprovohet Shqipërisë me kushtin që zgjedhjet e 2013-ës të jenë të lira e të ndershme, në përputhje me praktikat më të mira demokratike botërore. Në qoftë se zgjedhjet do të certifikohen si të tilla nga OSBE/OHDIR-i dhe palët në Shqipëri do ta pranojnë rezultatin zyrtar të zgjedhjeve, Shqipëria vitin tjetër, ashtu si Mali i Zi sivjet, do të fillojë negociatat për anëtarësimin në BE. Dhe kjo gjë mund të shtojë ndihmën financiare të BE-së për Shqipërinë me 200 milionë euro në vit, ose mjaftueshëm për të ndërtuar nga një autostradë si ajo Tiranë-Elbasan çdo vit

http://respublica.al/artikuj/2012/7/11/arrihet-konsensus-per-reformen-zgjedhore-a-do-te-shtohen-shanset-per-kandidaturen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›