E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Puto: Berisha po tenton të ngrejë më lart Ahmet Zogun se Ismail Qemalin

Share

Historiani i njohur, Arben Puto, flet për një tendencë të rrezikshme të Berishës, për të ngritur më lart Ahmet Zogun se Ismail Qemalin. Puto flet për Sali Berishën që vepron njësoj si Enver Hoxha, jo vetëm sa i përket historisë. Puto thotë se teza e Berishës se rezistencën në Shqipëri e bënë britanikët është në përputhje me tezat greke, që shqiptarët nuk kanë ndërgjegje kombëtare.

Në programin e qeverisë për 100 vjetorin e Pavarësisë Kryeministri u referohet ngjarjeve dhe figurave historike. Si e mendoni?

Në radhë të parë duhet thënë se përse i bën këto referime, cila është arsyeja, se këto ndërhyrje nuk janë e para herë që ndodhin. Mendoj se ato kanë së pari si qëllim të krijojnë një zjarrmi debatesh, shashka tymuese që të mbulojnë qeverisjen e korruptuar të një pushteti të uzurpuar. Pra, një zhvendosje vëmendje nga problemet më akute të vendit. Së dyti, janë një mënyrë për të konsoliduar aleancat elektorale, një përpjekje për të mos lënë asnjë votë të firojë, përveç atyre metodave të tjera që i dimë të gjithë. Pra, historia vihet në funksion të politikës së ditës, thjesht manipulohet. Kjo vihet re sidomos të furçat që i bëhen pa u kursyer figurës së Zogut. Duke ndjekur metodat e vjetra ai përshkruhet vetëm si engjëll, dhe kundërshtarët e tij si djaj. Duhet kujtuar këtu se vite më parë kur pasardhësi i tij zbriste në aeroportin e Rinasit, dhe kur nuk ishte në aleancë me Berishën, ai u zbua nga toka mëmë pa shumë temenara. Tani është ndryshe, ruajalistët janë në koalicionin qeverisës dhe Zogu duhet pikturuar si hero i kombit. Në fund të fundit është edhe një prirje antikomuniste anakronike që përshkon botëkuptimin e kryeministrit dhe që tregon se i ka ngelur ora në mitingjet e viteve 1991-92.  Tezat e kryeministrit më lënë edhe një përshtypje tjetër. Më duket sikur i ka me të dëgjuar ato që thotë, dhe jo me të lexuar. Janë kaq amatoreske saqë po të mos ishte në pozicionin që ka nuk do tia vlente të merreshim. Por, ka edhe diçka më serioze në këtë histori me historinë.

Cila është kjo?

Ajo që më shqetëson mua më shumë është fakti që një kryeministër ndërhyn në studimet historike duke përcaktuar linjat e qëndrimit. Kjo nuk është parë e dëgjuar ndonjëherë në shoqëritë demokratike. Dhe ende më shqetësuesja është se asnjë nga institucionet akademike nuk ngre as zërin më të vogël kundër këtyre urdhrave nga lart. Kjo tregon se si organet e tjera shtetërore, edhe institucionet akademike, universiteti, janë komplet të bindur dhe të nënshtruar ndaj autoritetit të kryeministrit. Më keq akoma, duket se kanë edhe frikë, dhe ky është thelbi, që po kthehet frika (sigurisht një frikë e llojit demokratik) dhe mendimi se është më mirë të mos merresh me qeverinë. Kjo çdo gjë mund të jetë, por jo karakteristikë e një shoqërie demokratike.

Le të kthehemi te fillimi i pyetjes

Sigurisht. Prej disa kohësh tanimë është shfaqur një tendencë ngulmuese për ndërhyrje të vrazhdë të politikës në histori. Mund të mendoja se ajo kohë kishte kaluar dhe nuk do të kthehej më. Për fat të keq është një valë në ngritje që synon të mohojë dhe të denigrojë arritjet serioze të historiografisë. Eshtë si më parë, është i pari i vendit kryeministri Berisha që ka marrë përsipër të përmbysë historinë me tezat e tij. Ndërhyrjen në histori po e bën pjesë të programit të qeverisë në vështrim të 100 vjetorit të pavarësisë. Veç shumë fushave të tjera, ai pretendon se e zotëron edhe këtë lëndë. Mund të dijë shumë gjëra (p.sh. kokën e Ali Pashës që duhet bashkuar me trupin, ja një ide e mirë). Mund të dijë edhe shumë të tjera, por edhe aq sa di, dhe pretendon të dijë, nuk është bërë pjesë e formimit të tij. Nuk ka kulturë historike dhe hyn në histori si një elefant në një dyqan me qelqurina. Dhe shkel e thyen me putrat e rënda dhe pastaj del me tezat e tij.

Në kohën e tij Enver Hoxha shkroi një artikull për kryengritjen e Shqipërisë së Mesme të Haxhi Qamilit. Më të zellshmit hartonin edhe udhëzime të përgjithshme në emër të shokut Enver. Kurse ky ka marrë përsipër të ribëjë gjithë historinë.

Në fjalën e tij në Komitetin për përgatitjen e 100 vjetorit të Pavarësisë, Kryeministri ndalet veçanërisht në Luftën Nacionalçlirimtare?

Po, duket se në qendër të fushatës së tij po vë historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare. Eshtë një qasje e re. E fillon me këto fjalë: rezistenca e armatosur në Luftën e II Botërore përbën një nga faqet më të ndritura të historisë sonë dhe është gabim fatal të vihet në dyshim rëndësia e saj që e rreshton Shqipërinë në anën e Koalicionit anti-fashist. Mund të duket sikur ka reflektuar dhe bën një vlerësim  të ri që nuk e kemi njohur më parë. Kjo vetëm në aparencë. Bëhet pyetja: Kush e bëri këtë luftë? E bënë, e organizuan misionarët britanikë të ardhur nga larg. Nuk mund të quhet veçse përçartje e radhës thirrja që u bën veteranëve që të pranojnë se Brigada e parë partizane u krijua nga anglezët në Vithkuq. Rrjedhimisht populli shqiptar, rinia shqiptare ishte mish për top për interesa të huaja në këtë luftë të organizuar nga anglezët.

Me këtë tezë, që e quan një risi në historinë e Luftës Nacional-Çlirimtare, Berisha bashkohet me tezën greke të përsëritur disa herë. P.sh. për Luftën e Vlorës, grekët patën thënë se vetë shqiptarët nuk kanë ndërgjegje kombëtare, nuk mund të jenë të aftë për rezistencë kundër pushtuesve. Lufta e Vlorës ishte organizuar prej italianëve për të penguar pretendimet greke mbi Shqipërinë jugore. Për rezistencën kundër pushtuesve nazi-fashistë e njëjta gjë. Kryeministri grek Caldaris në Konferencën e Paqes në Paris 1946 deklaronte nga tribuna e saj se në Shqipëri nuk ka lëvizje të vërtetë rezistence. Shqiptarët nuk janë të aftë, kanë qenë vetëm disa aksione të izoluara të disa bandave të nxitura e të organizuara nga jashtë.

Pra, shqiptarët arritën të ngrinin një ushtri të vërtetë, por nëse u rreshtuan në emrin e mirë të historisë këtë e bënë misionarët anglezë. Nuk mund ta mbyllë veçse me një skandal që poshtëron kujtimin e dëshmorëve të luftës. E ka kapur me Qemal Stafën, dëshmorin 20 vjeçar, simbol i rinisë antifashiste që u vra me armë në dorë. Thotë që ka respekt, pornuk luante mirë futboll. Prandaj ti hiqet emri nga stadiumi po se po, por edhe nga ndonjë rrugë dhe shkollë.

Mund të dukej se Berisha ka reflektuar dhe ka arritur ta vlerësojë LNC, por ai e fillon me misionarët britanikë që organizojnë Brigadën e I në Vithkuq dhe e mbaron me përdhosjen e kujtimit të dëshmorëve. Po e bën jo vetëm me fjalë. Kryebashkiaku i Tiranës, doemos me urdhër të tij, i ka hequr emrin rrugës së dëshmorëve të 4 shkurtit, për ta zëvendësuar atë me një figurë që nuk i përket ngjarjes. I. Rugova mund të gjente vend gjetkë.

Një çështje tjetër që ka të bëjë me 100 vjetorin është ajo e monumenteve që do të ngrihen për nder të Pavarësisë. Cili është mendimi juaj?

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›