Topi takon trojkën e ambasadorëve, merr vlerësime për rolin e tij si president
Presidenti Bamir Topi priti sot në mesditë trojkën e ambadorëve, ndoshta në atë që mund të quhet takimi i fundit mes tyre, pasi në një njoftim të presidencës thuhet se ata kanë vlerësuar rolin e tij gjatë këtyre viteve si president.
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot në mesditë një takim të veçantë me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Aleksander Arvizu, me Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Etore Sekui si dhe me Kreun e Prezencës së OSBE-së, Eugen Volfart. Ambasadorët Aleksander Arvizu, Etore Sekui dhe Eugen Volfart vlerësuan rolin moderator, pozitiv dhe konstruktiv të Presidentit Topi si respektues i Kushtetutës, ligjeve të vendit dhe si simbol i unitetit të popullit duke shprehur mirënjohen edhe për bashkëpunimin e shkëlqyer e të frytshëm që kanë gëzuar me Kreun e Shtetit shqiptar gjatë mandatit të tij presidencial, thuhet në njoftimin e presidencës.
Në takim u diskutua edhe për situatën politike në vend dhe nevojën e përfundimit të reformave siç janë reforma zgjedhore, gjyqësore dhe ajo parlamentare si dhe heqja e imuniteteve.
Realizimi me sukses i këtyre reformave do të ishte jetik dhe tepër i rëndësishme për demokracinë shqiptare dhe garantimin e votës së lirë të qytetarëve, për ndarjen dhe ekuilibrimin e pushteteve, për ruajtjen e pavarësisë së institucioneve kushtetuese si dhe për vetë të ardhmen integruese të Shqipërisë, tha Topi.
Po sot paradite, Kreu i Shtetit shqiptar zhvilloi edhe një takim pune me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Nikolas Kanon.