Politika shqiptare në Bruksel, do vlerësohet ecuria e reformave

Klasa politike shqiptare pozita dhe opozita do të kenë sot dhe nesër një tjetër përpjekje për të kapërcyer ndasitë e për tu bashkuar në një qëndrim për angazhimin për reformat. Nga pasditja e së mërkurës dhe të enjten paradite për të pestën herë parlamentarët e opozitës dhe mazhorancës do të vihen përballë Komitetit të Stabilizim Asocimit në Bruksel.
Sipas një axhende paraprake tre janë çështjet kryesore që pritet të diskutohen. Reformat dhe zhvillimet në Parlamentin Shqiptar, situata ekonomike dhe progesi i deritanishëm në realizimin e reformës në sistemin e drejtësisë.
Komiteti Stabilizim Asocimit pritet të vlerësojë hapat e deritanishëm në reformat parlamentare dhe zgjedhore nisur nga fakti që të mërkurën pasdite komisioni i reformës pritet të përmbyllë ndryshimet në kodin zgjedhor ku janë tejkaluar tashmë pikat që e mbanin larg këtë kompromis dhe më kryesorja riformatimi i KQZ-së.
Përsa i përket reformës në drejtësi Komiteti pritet të ritheksojë se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë parakushtet kryesore për të gjithë rajonin në rrugëtimin drejt BE-së. Por edhe në këtë drejtim komiteti pritet të vlerësojë hapin e hedhur në drejtim të kufizimit të imunitetit të deputetëve e zyrtarëve.
Por ajo që pritet dhe që duhet të ndodhë është firma që të dyja palët si mazhornaca me Ministren e integrimit Majlinda Bregu dhe deputetin Fatos Beja ashtu edhe opozita me deputetin Ditmir Bushati të firmosin bashkarisht këtë deklaratë që do të përbënte herën e parë në historikun e politikës shqiptare dhe angazhimin e përbashkët për reformat.