E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrihet marrëveshja, tërhiqet Pacolli, kandidate Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga është kandidatura e përbashkët e marrëveshjes për Presidente të Kosovës me mandat të kufizuar. Zyrtarja e lartë e Policisë së Kosovës kandidohet nga PDK, LDK dhe AKR, si rezultat i marrëveshjes së arritur në bisedimet e treshes Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli, që u zhvilluan nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell. Pjesë e marrëveshjes është edhe përcaktimi i afateve për reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat do ta çojnë vendin në zgjedhje, të paktën një vit para skadimit të mandatit. Pas bisedimeve që zgjatën tri ditë, në një konferencë të përbashkët, Kryeministri Thaçi, ish-kandidati për President, Pacolli, lideri i LDK-së, Mustafa dhe ambasadori Dell, dolën në një konferencë para orës 22:00, ku kumtuan pikat e marrëveshjes. Kryeministri Thaçi, veçse konfirmoi kandidaten e përbashkët për President Atifete Jahjaga, tha se marrëveshja përcakton edhe reformat dhe afatet. “Jemi marrë vesh të formohet një Komision, për hartimin e ndryshimeve kushtetuese, në mënyrë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli”, tha Thaçi.

Sipas marrëveshjes, ky komision do ta kryejë punën e vet brenda 6 – 9 muajsh.

Kurse zgjedhjet e para për Presidentin do të mbaheshin jo më vonë se gjashtë muaj pas fuqizimit të ndryshimeve kushtetuese. Pikë tjetër e marrëveshjes, nënvizoi Thaçi, është ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Edhe për këto ndryshime do të formohet një komision, i cili do të udhëhiqet nga opozita. Puna e komisionit do të përmbyllet në një afat prej 8, deri në 12 muaj. Kurse zgjedhjet parlamentare në vend do të shpallen jo më vonë se 18 muaj, pasi ligji i ndryshuar të hyjë në fuqi. Këto zgjedhje u tha se do të jenë në një afat me ato lokale. I impresionuar me arritjen e marrëveshjes, ambasadori Dell tha se Kosova kaloi një fazë të vështirë për formimin e institucioneve. “Liderët u treguan të gatshëm t’i vendosin interesat e shtetit para interesave të tyre. Fakti që unë jam me liderët kosovarë, tregon se ata mund të punojnë për të mirën e këtij vendi”, tha Dell. Ndërsa lavdëroi konstruktivitetin e Pacollit, i cili me tërheqjen e tij mundësoi tejkalimin e krizës, Dell tha se kandidatja e ardhshme, Atifete Jahjaga, është në gjendje të marrë detyrën dhe ushtrojë atë me përgjegjësi, siç bëri edhe sa ishte e angazhuar në kreun e Policisë së Kosovës. Ai që më së shumti mori lëvdata për arritjen e marrëveshjes, ishte Behxhet Pacolli, i cili qe zgjedhur në postin e Presidentit më 22 shkurt. Por, vetëm 35 ditë më pas u detyrua të largohet pasi Gjykata Kushtetuese nxori aktvendimin, me të cilin konstatoi se Pacolli ishte zgjedhur me procedura anti-kushtetuese. Pacolli nuk ishte kandidat që gëzonte mbështetjen e opozitës, andaj ai tha se ishte tërhequr nga gara që të mos lejonte që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. “Koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq me qëllim të tejkalimit të kësaj krize politike dhe institucionale, unë jam tërhequr nga rikandidimi im për postin e Presidentit të Republikës”, ka thënë Pacolli.

“Nuk do të rikandidoj, sepse nuk dua të përjetoj atë që kam përjetuar. Isha viktimë e gabimeve të të tjerëve, andaj nuk dua të paguaj sërish për fajin e dikujt tjetër”, ka thënë ai, duke u treguar i gatshëm ta vazhdojë garën politike brenda partisë për të rimarrë kreun e AKR-së. Marrëveshja është përshëndetur edhe nga lideri opozitar, Isa Mustafa.

Ai tha se me marrëveshje ishin respektuar disa nga kërkesat kryesore të LDK-së, që kishin të bënin me presidentin e pranueshëm, reformat zgjedhore e kushtetuese dhe caktimin e afatit për zgjedhjet e përgjithshme. Pavarësisht kësaj marrëveshje, tani mbetet që në Kuvendin e Kosovës të ketë edhe një kundërkandidat për zgjedhjen e Presidentit. Ndërkaq ka mbetur pa një përgjigje insistimi i gazetarëve, se a paraqet shkelje kushtetuese nominimi i një kandidati për president me afat prej 1 deri në dy vjet, përderisa Kushtetuta parasheh që Presidenti të ketë mandatin pesëvjeçar. Sipas procedurave, tani marrëveshja i dërgohet Kuvendit, ku do të procedohet tutje deri në finalizim dhe zgjedhje të Presidentit të ri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›