Xhamia e re, qeveria i jep truallin myslimanëve
Dy gëzime në një ditë mund të quhen më saktësisht dy vendimet që qeveria ka marrë dje për Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, që i hapin rrugën plotësimit të dy kërkesave të tyre, që janë xhamia dhe universiteti. Qeveria i jep myslimanëve truallin për ndërtimin e xhamisë së re, duke zgjidhur kështu përfundimisht shqetësimin e ngritur prej Komunitetit Mysliman për çështjen e sipërfaqes së tokës ku është parashikuar ngritja e saj. Kështu, vetëm pak ditë pasi myslimanët deklaruan se ndihen të pasigurt për ndërtimin e xhamisë së re në kryeqytet nga Bashkia e Tiranës, pasi nuk ishte zgjidhur çështja e truallit, pasi Komuniteti Mysliman ka në pronësi vetëm një pjesë të truallit ku do të ndërtohet xhamia, 700 metra katrorë, Këshilli i Ministrave ka miratuar dje vendimin “Për kalimin e sipërfaqes 2570.5 m², pronë shtetërore, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë për ndjekjen e procedurave ligjore që nevojiten për ndërtimin e xhamisë ‘Namazgjaja’, për Komunitetin Mysliman Shqiptar”. Zona kadastrale 8150, me numër pasurie 1/82, sipas shpjegimeve të ekspertëve, i bie të jetë e gjithë lulishtja pranë Rrugës së Elbasanit, që gjendet te zona e Kuvendit të Shqipërisë dhe Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë. Këshilli i Ministrave, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, 10, 11 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.1.2011, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, vendosi: “Sipërfaqja prej 2570.5 (dymijë e pesëqind e shtatëdhjetë pikë pesë) m², e ndodhur në zonën kadastrale 8150, me numër pasurie 1/82, pjesë e pronës së listuar me nr.592, me sipërfaqe të përgjithshme 6739 (gjashtë mijë e shtatëqind e tridhjetë e nëntë) m2, në listën e miratuar me vendimin nr.834, datë 13.12.2006, “Për miratimin e listës së pjesshme (pjesa e parë dhe e dytë) të pronave të paluajtshme shtetërore, në Bashkinë Tiranë, të qarkut të Tiranës”, pronë shtetërore, sipas planit të rilevimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kalon në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim ndjekjen e procedurave ligjore që nevojiten për ndërtimin e xhamisë ‘Namazgjaja’, për Komunitetin Mysliman Shqiptar”. Sipas këtij vendimi, ndalohet tjetërsimi apo dhënia në përdorim e pronës së përcaktuar, për qëllime të tjera, të ndryshme nga ndërtimi i xhamisë ‘Namazgjaja’, e Tiranës, për Komunitetin Mysliman Shqiptar. Po ashtu, qeveria ka ngarkuar ministrin e Drejtësisë, kryeregjistruesin e Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, Agjencinë e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave dhe Agjencinë e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike për zbatimin e këtij vendimi. Nëpërmjet këtij vendimi duket se qeveria është afruar më tepër se kurrë pranë myslimanëve, pasi ka zgjidhur çështjen më të rëndësishme për plotësimin e kërkesës së kahershme të tyre, që është ndërtimi i xhamisë së re në kryeqytet. Sipas projektit të Bashkisë së Tiranës, xhamia e re, që parashikohet t’u shërbejë mbi 2500 besimtarëve, do të ndërtohet në qendër të kryeqytetit, mbrapa Pallatit të Kulturës.