E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Ndryshimi i vërtetë për Tiranën!

Zgjedhjet më 8 maj janë për të ardhmen e Tiranës dhe jo për të kaluarën e saj. Ndaj Tirana do të votojë për ata të rinj që do ta çojnë përpara, që do t’i zgjidhin ato probleme të jashtëzakonshme, të akumuluara nga keqdrejtimi i këtij qyteti, që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve. Me këtë konstatim u shfaq dje në çeljen e fushatës në kryeqytet, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, duke deklaruar edhe sloganin “Ndryshimi i vërtetë për Tiranën”. “Më 8 maj ju dhe gjithë të rinjtë e kryeqytetit do të votoni për një të ri, i cili sjell një standard të ri, jo vetëm në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet vendore, një standard europian të komunikimit, të vizionit, të sjelljes, të bashkëbisedimit me të gjithë, sikurse është kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës që do të votohet nga ju, Lulzim Basha”, u shpreh Meta. Në vlerësimin e tij, Tirana ka nevojë për një kryetar që e do atë, ka nevojë për një kryetar që merret pa ndërprerë me problemet dhe shqetësimet e qytetit dhe të gjithë qytetarëve, sepse Tirana ka nevojë për një kryetar me vizion qe zgjidh problemet e sotme dhe u paraprin atyre të së nesërmes. Në vlerësimin e tij, Tirana jonë nuk mund të vazhdojë 20 vjet pa një studim të përgjithshëm urbanistik, vetëm e vetëm për interesa të ngushta korruptive. Nuk kemi parë një Kryetar Bashkie, tha ai, përveç kryetarit të ardhshëm Lulzim Basha, që të dalë me një program konkret se si bashkia do të punojë dhe kontribuojë për zgjidhjen e punësimit në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›