E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Digë e interesit qytetar, kundër llogores së politikës

“Unë e di se realiteti politik e ka llogorizuar diskursin publik, dhe ka një përpjeke që do ta llogorizojë dhe më tej, të na fusë të gjithëve në llogore. Unë mendoj se kjo nuk i shërben askujt. Unë mendoj se në këtë luftë nuk ka për të pasur asnjë të fituar, nuk ka deri tani dhe nuk ka për të pasur, prandaj unë dua të përsëris sot para jush, angazhimin tim për ta parë këtë garë, jo si një luftë, por si një kontribut”. Katër-pesë fjali kanë mjaftuar për të përçuar te të pranishmit jo vetëm predispozitën e një kandidati ndaj qytetit, por edhe këmbënguljen se ai nuk do të lëvizë nga kredoja e fushatës së tij dhe forcës që përfaqëson: Zgjedhje për Qytetarin. Fjalitë dhe kredoja i përkasin kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzmi Basha, gjatë një takimi dje në Akademinë e Arteve, me intelektualë të kryeqytetit me ftesën e nismën e Grupimit Iniciativa për Tiranën. Pas falënderimeve, që si zakonisht shërbehen në raste të tilla, Basha është shprehur se edhe para se të shpallte kandidaturën, ëndrra e tij ka qenë që të “rizgjohen energjitë e jashtëzakonshme, por të fjetura të këtij kryeqyteti dhe të vihen në dispozicion të qytetit dhe të banorëve te tij”. Duke u solidarizuar me të pranishmit, kandidati i Aleancës për Qytetarin ka shtuar se “me praninë tuaj këtu, kemi përshkrimin më të mirë se energjitë e jashtëzakonshme të këtij qyteti që shpeshherë, druajmë se nuk ekzistojnë më, janë zgjuar dhe po ecin vrullshëm në drejtimin që duhet të rrjedhin, në drejtim të interesit qytetar”. Duke iu drejtuar panelit dhe sallës, një mjedis ekskluzivisht intelektual, Basha ka thënë se armët e çdo intelektuali janë dy: lufta për të vërtetën dhe interesin publik. Në linjën e tij të qasjes së butë ndaj kandidatit kundërshtar, Bashka i ka dhënë kredite edhe Ramës, kur është shprehur se “këto elemente janë të pazëvendësueshëm, prandaj dhe diskursi i sotëm është i pazëvendësueshëm, dhe jam i bindur që është i pazëvendësueshëm për çdo kandidat, jam i bindur që i tillë është edhe për z.Rama, pavarësisht se ai sot nuk gjendet këtu”.

Basha, në vazhdë të idesë së tij të llogorëzimit të politikës, ka folur edhe për “një digë të interesit qytetar”, e cila sipas Bashës, duhet vënë para politikës për të penguar, sipas tij, që “në garat që shpeshherë shndërrohen në luftë, të mos sakrifikojmë interesat e momentit për vizionin afatgjatë të zhvillimit, të mos sakrifikojë interesat e momentit për të ardhmen e fëmijëve tanë”. Kandidati i mazhorancës ka riktheksuar vullnetin e tij, për të kontribuar me vizionin, planet dhe platformat në funksion të shqetësimeve, halleve, dhe vizionit të qytetarëve të Tiranës, për të ardhmen e qytetit. “Kurrsesi jo në funksion të një lufte politike”, i ka mëshuar Basha idesë së mazhorancës se, këto zgjedhje lokale janë të tilla dhe duhet të kenë në fokus vetëm qytetarin. Basha është angazhuar dje para intelektualëve të pranishëm, pjesë e Iniciativës për Tiranën se do të marrë parasysh shqetësimet e shprehura në takim, do të japë përgjigje në atë që ai e ka quajtur si “kënaqësi të herës tjetër”. Me anë të kësaj, Basha ka paralajmëruar se do të marrë pjesë edhe në takimin tjetër të Iniciativës për qytetarin dhe do bëhet pjesë e diskutimeve dhe debateve “mbi të gjitha çështjet që ngritët, dhe me këtë kuadër ju siguroj se angazhimi im do të jetë vetëm e vetëm në frymën e kontributit”. Në mbyllje të fjalës së tij, në forumin me intelektualët, kandidati i mazhorancës ka thumbuar atë që ai e ka quajtur “plani pa plan” i cili sipas tij nuk i shërben Tiranës por “vetëm një grushti shumë të ngushtë njerëzish”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›