E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në njësinë nr.9, barcaleta për Berishën

Edi Rama vijoi dje turin, derë më derë, në njësinë numër 9 në Tiranë. Siç njofton zyra e shtypit të kreut socialist, në takimet e shumta, Rama sërish ka hasur në ankesa qytetarësh për çmimet e larta, pensione e paga të ulëta, për një fuqi blerëse në rënie. I tillë ka qenë dhe rrëfimi i një gruaje në këtë lagje të Tiranës: “Më keq sa s’ka më keq, më. Pensioni i vogël, si përballojmë dot çmimet”. Kreu i socialistëve tha se “më 8 maj jepni votën që të vazhdojmë të bëjmë rrugë, që të vazhdojmë të vëmë drita, që të vazhdojmë të mbjellim pemë. T’i largojmë këta që të hapim luftën me papunësinë. Të hapim luftën me varfërinë. Të hapim luftën me kusarinë. Këto duhen larguar”. Kërkesa e Ramës për këta banorë ishte: “Duhet të votoni PS, që Këshillin Bashkiak të mos e kontrollojë më Saliu dhe të mos e bllokojë më Iliri për interesat e depozitës dhe të pozitës”. Ashtu si edhe në takime të tjera, edhe këto biseda spontane në rrugë, njësi tregtare apo bare e lokale të ndryshme, Rama nuk ka harruar të bëjë batuta, duke nënvizuar me humor fenomene të keqqeverisjes, apo të vjedhjes së votës. “Saliu, Bushi dhe Berluskoni në avion. Thotë piloti mbaroi karburanti, por një parashutë kam, si t’ia bëjmë. Ta hedhim në votë, i thotë Saliu. Mirë i thonë dy të tjerët. Votohet dhe fiton Saliu. Merr parashutën, ika unë thotë, dhe hidhet. I thotë Bushi, Berluskonit, ore si fitoi ky?! Berluskoni i thotë, mirë që fitoi po ku i gjeti 40 vota, ne 3 veta jemi. Më 8 maj do ta hedhim nga avioni, pa parashutë po e preku votën”, theksoi Rama. Në bisedë me një emigrant të kthyer nga Greqia, kreu i socialistëve u shpreh: “Të falënderoj që ke ardhur nga Greqia! Të vijnë sa më shumë nga Greqia dhe Italia, të votojnë këtu, se këtu është Shqipëria. Shqipëria është e vetmja rrugë që keni edhe ju. Këtu është e ardhmja. Këtu duhet të investoni kursimet. Këtu duhet të ndërtojmë jetën që keni kërkuar në emigrim”. Në takime me tregtarë të njësive tregtare në këtë lagje, një prej tregtarëve i tha kreut të bashkisë: “Varfëri e madhe, s’ka lekë!”. Përgjigja e kreut të opozitës ishte: “S’ka lekë?! Lekët janë tek blloku. Duhet ta dorëzojnë bllokun këta më 8 maj, se ndryshe i bën lekët rrush e flamuj këta”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›