E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Makinat zyrtare të mos përdoren për fushatë

SHKRUAN: Nevila Perndoj 07-04-2011 16:40

TIRANË- Një urdhër i dalë dje nga zyra e Kryeministrit do të ndalojë përdorimin e çdo lloj burimi të administratës shtetërore, në funksion të fushatës zgjedhore. Të paktën kështu u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha, në fillim të mbledhjes së qeverisë. Duke e cilësuar fushatë në dietë, kreu i ekzekutivit theksoi se pjesëmarrja në aktivitetet e fushatës elektorale, nga Kryeministri e çdo zyrtar tjetër, do të bëhet me shpenzimet e partisë. “Natyrisht, ky vendim paraprihet nga një vendim tjetër i një rëndësie të jashtëzakonshme, me të cilin ne reduktuam nga mbi 3 mijë vetura publike personale në 34, pra, vetëm për krerët e institucioneve kushtetuese, Drejtori i Policisë së Shtetit dhe për dy-tre raste të tjera. Kështu që zotërinj ministra, pjesëmarrja juaj në fushatë do të jetë vetëm me fondet e përcaktuara për partinë. Unë personalisht i kërkova partisë të marrë me qira mjetin tim të transportit, por kjo do të ndodhë edhe për secilin prej jush”, - tha dje Berisha në mbledhjen e Qeverisë. Kryeministri shtoi se për mazhorancën kjo do të jetë fushatë në dietë. “Në fushatë elektorale, nuk mund të ketë asnjë targë zyrtare, përveç atyre të sigurisë dhe Gardës që përmbushin detyra të tjera. Nga Kryeministri e çdo zyrtar tjetër, në veprimtaritë e fushatës elektorale, do të marrin pjesë me shpenzimet e partisë. Fondi që i është akorduar partisë do të ekonomizohet. Fushata elektorale për zgjedhjet e 8 majit, në të cilat, siç kemi theksuar, i pari do të jetë qytetari, do të jetë një fushatë në dietë, pasi ky është edhe interesi i qytetarit”, - tha ai. Berisha theksoi se ky urdhër do të shërbejë si shkëputje nga praktika e së shkuarës. Për këtë arsye, Kryeministri tha se Policia e Shtetit do të marrë urdhër të bllokojë çdo mjet zyrtar, të cilido zyrtari në fushatë. “Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe të gjitha institucionet e kontrollit do të ftohen të bëjnë kontrolle të rrepta mbi të gjitha fondet, të cilat mos të devijohen as nga pushteti qendror dhe as nga pushteti lokal, drejt fushave të mitingjeve, stendave dhe shpenzimeve abuzive. Parlamenti ka përcaktuar fondet për çdo parti. Shkalla e mbledhjes së fondeve nga donacione private është e përcaktuar në ligj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është autoriteti që kontrollon të gjitha shpenzimet në fushatë. Pra, duhet të jemi detyrimisht të përkorë në këtë fushatë”, - tha Berisha, duke shtuar se në mendjen e njerëzve nuk godet shkëlqimi i makinave luksoze. Berisha njoftoi gjithashtu se për shkak të fushatës, mbledhjet e qeverisë do të zhvendosen në orët e vona të mbrëmjes. Në mbledhjen e djeshme, Kryeministri ka kërkuar që anëtarët e qeverisë të ndjekin nga afër edhe përgatitjet për sezonin e ri turistik. Ai shtoi se fushata elektorale nuk duhet të shpërqendrojë vëmendjen nga sezoni turistik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›