Arrihet niveli kritik, hapen portat e Ulzës dhe Shkopetit

Hidrocentralet punojnë me kapacitet të plotë, por për shkak të prurjeve të shumta, në Shkopet uji ka arritur në një nivel gati 10 centimetra poshtë nivelit të portave
UlZë - Një tjetër front i rrezikshëm në situatën e rënduar tashmë të përmbytjeve në veri të vendit është hapur në basenet e hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit. Prurjet e ujit për shkak të reshjeve të ditëve të fundit kanë qenë të larta dhe si pasojë, niveli i ujit në këto dy liqene ka arritur në kuota kritike. Kjo i ka detyruar drejtuesit e tyre, që në koordinim me drejtuesit e KESH-it të bëjnë hapjen e njërës nga portat, për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm për digat e tyre.
Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit e dy hidrocentraleve të lartpërmendur, të cilët kanë bërë të ditur dje, se u detyruan të ndërhyjnë për hapjen e njërës nga portat e këtyre dy impianteve hidroenergjetike, për të mbajtur situatën nën kontroll. Megjithëse prodhimi energjisë elektrike ka vazhduar me kapacitet të plotë nga të dy këta hidrocentrale gjatë gjithë periudhës kur ka nisur situata e vështirë e përmbytjeve në veri të vendit, sërish mbingarkesa e liqeneve të tyre nuk është shmangur dot dhe po kështu hapja e portës shkarkuese. Kaskada e liqenit të Shkopetit është në pikën maksimale të saj, ku uji nuk është më shumë se 10 centimetra poshtë nivelit të portave, ndaj njëra nga portat është hapur për të mbajtur situatën nën kontroll. Sipas burimeve zyrtare të informacionit, është hapur njëra nga portat e hidrocentralit të Ulzës, pasi prurjet e ujit kanë qenë më shumë se kapaciteti përpunues i turbinave, të cilët vihen në punë për prodhimin e energjisë. Drejtori i hidrocentraleve të Ulzës dhe Shkopetit, Abdi Pasha, është shprehur dje, se prurjet në këto dy hidrocentrale janë 100 metra kub më shumë se kapaciteti i përdorimit të tyre ditor që përdoret për prodhimin energjisë.
Ndërsa kuotat e ujit në hidrocentralin e Ulzës është 30 cm më pak se kuota maksimale, duke pasur parametra normalë. “Hidrocentrali i Shkopetit është në kuotën maksimale të tij, 74,64 metra, që ka detyruar hapjen e njërës nga portat e këtij hidrocentrali, duke bërë të mundur mbajtjen e situatës nën kontroll”, - deklaroi z. Pasha. Në kohën që është hapur njëra nga portat e hidrocentralit të Shkopetit, punonjës të avarisë u detyruan të punojnë në anë të hidrocentralit për remontin e një vinçi që përdorej për hapjen e portave të hidrocentralit të Shkopetit. Kjo u bë ndërkohë që situata, nisur nga niveli i ujit në hidrocentral, ishte në nivelet maksimale të tyre. Hapja e portave të këtyre liqeneve gjithsesi pritet të ndikojë për keq në situatën tashmë të rënduar të përmbytjeve në zonat ku kalon lumi Drin.