Prifti: Hapja e digave në Maqedoni s'ka ndikim te digat

Ata na kanë thënë se nga liqeni do të shkarkohej dje rreth 100-110 metra kub ujë në sekondë, një shifër e cila është totalisht e papërfillshme. Por edhe nëse do të shkarkohet, do ta përballojmë pa asnjë lloj problemi
Hapja e portave të liqenit të Ohrit nuk ndikon në sistemin energjetik shqiptar. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zoti Dritan Prifti, shprehet se hapja e portave të shkarkimit nga Maqedonia nuk do të krijonte probleme. “Absolutisht, nuk ka asnjë rrezik në lidhje me mënyrën sesi vepron Maqedonia me liqenet dhe digat që janë afër kufirit. Unë dhe zoti Muharrem Stojku kemi pasur kontakte me Korporatën Elektroenergjetike të Maqedonisë që në orët e para të mëngjesit. Ata na kanë thënë se nga liqeni do të shkarkohej dje rreth 100-110 metër kub ujë në sekondë, një shifër e cila është totalisht e papërfillshme për sistemin tonë. Por edhe nëse do të ketë më shumë, ne do të përballojmë pa asnjë lloj problemi. Po e përsëris, ne arritëm të përballonim një situatë prurjesh dhe vërshimesh që ndodh një herë në 100 vjet. Derisa arritëm të përballonim këtë rast, me një ngarkesë maksimale të sistemit tonë, unë them që çdo lloj situate që mund të vijë, qoftë nga Maqedonia apo qoftë nga përkeqësimi i kushteve të motit dhe rritjen e prurjeve, unë jap garanci se ne kemi mundësi me sistemin tonë ta përballojmë. Ajo që ndodhi është diçka që ndodh një herë në 100 vjet dhe nuk besoj se brenda tri ditësh do të përsëritet e njëjta gjë. Pra, japim garanci se do ta përballojmë çdo lloj situate dhe ashpërsimi tjetër klimaterik në vend”, u shpreh Prifti.
***
Deklarata për situatën energjetike në vend dhe ndikimin e prurjeve që vijnë nga hapja e portave të liqenit të Ohrit që derdhen në Drinin e Zi ka ardhur në një takim që ministri Prifti ka bërë në qendrën e Dispeçerisë së sistemit energjetik shqiptar. “Kam ardhur në këtë që quhet qendra dispeçer e sistemit tonë energjetik, për të takuar të gjithë këta njerëz që punojnë këtu. Që nga miku im i vjetër, Resuli, që ka 40 vjet që punon këtu, deri tek të tjerët. Mbi të gjitha kam ardhur në fakt, që t’i falënderoj për punën me përkushtim, shumë serioze dhe me sakrifica që bëjnë, duke ndjekur 24 orë çdo gjë që ndodh në sistemin tonë energjetik. Përveç falënderimit për të gjithë këta njerëz që e përballojnë gjithë këtë situatë, do të doja që edhe ju të ishit prezentë për të kuptuar se nga ku bëhet menaxhimi i të gjithë sistemit tonë energjetik. Specialistët mund të japin me detaje çdo informacion, është një sistem që është kompjuterizuar. Dikur kemi qenë vetëm me atë sistemin e vjetër me skemën e vet, nëpërmjet të cilit edhe sot matet i gjithë importi dhe eksporti, të gjitha linjat e transmetimit që kemi ne dhe bilanci i shkëmbimit të energjisë. Ndërsa në sistemin e kompjuterizuar, çdo nënstacion, çdo gjë e sistemit tonë energjetik në Shqipëri është këtu”, tha Prifti.
***
Kreu i Ministrisë së Ekonomisë ka sqaruar edhe situatën në sistemin tonë energjetik, ku prurjet e ditëve të fundit vazhdojnë që të shkaktojnë përmbytje në të gjithë vendin. “Për sa i përket gjendjes në kaskadën e Drinit, vazhdon të kemi një përmirësim të situatës. Niveli i liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vazhdon të ketë ulje. Ne kemi porositur edhe një ulje tjetër të shkarkimeve me 200 metër kub në sekondë, pra jemi duke i reduktuar me synimin që, mbase pas 2 ose 3 ditësh t’i ndërpresim shkarkimet, nëse do të kemi të njëjtën situatë të motit. Kemi një situatë goxha më të përmirësuar, i gjithë sistemi energjetik në Shqipëri është në gatishmëri të plotë. Në harkun kohor prej një viti do të kemi një dispeçeri të re, sepse jemi duke ndërtuar në Kashar një qendër ultramoderne. është një investim i Qeverisë Shqiptare me një kredi të Italisë dhe puna për ndërtimin e qendrës dispeçer është duke ecur shumë mirë. Megjithatë, për ata që janë skeptikë unë po ju them që çdo gjë që ndodh në sistem është e regjistruar, siç e dëgjuat nga drejtorit i qendrës, çdo 6 sekonda. Regjistrohet elektronikisht dhe çdo gjë është e disponueshme për këdo që të ketë nevojë. Gjej rastin të falënderoj edhe mediat për transparencën që ka treguar deri tani për situatën”, tha Prifti.
Menaxhimi i situatës së prurjeve
Niveli i liqeneve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vazhdon të ketë ulje. Ne kemi porositur edhe një ulje tjetër të shkarkimeve me 200 metër kub në sekondë, pra jemi duke i reduktuar, me synimin që mbase pas 2 ose 3 ditësh t’i ndërpresim shkarkimet, nëse do të kemi të njëjtën situatë të motit. Kemi një situatë goxha më të përmirësuar, i gjithë sistemi energjetik në Shqipëri është në gatishmëri të plotë. Në harkun kohor prej një viti do të kemi një dispeçeri të re, sepse jemi duke ndërtuar në Kashar një qendër ultramoderne. është një investim i Qeverisë Shqiptare me një kredi të Italisë dhe puna për ndërtimin e qendrës dispeçer është duke ecur shumë mirë.
Rritet rreziku i përmbytjeve
Ohri arrin kuotën maksimale
Ekspertët paralajmërojnë se hapja e portave të liqenit në Strugë mund të sjellë rritjen e nivelit të ujërave në Fierzë
Një tjetër kërcënim vjen për veriun e përmbytur të Shqipërisë, kësaj here përtej kufijve. Liqeni i Ohrit ka arritur në kuotat e tij maksimale, duke rrezikuar përkeqësimin e situatës në Shkodër dhe fshatrat përreth saj, që tashmë janë mbuluar nga uji. Por sipas ekspertëve, nëse Maqedonia vendos të shkarkojë ujërat nga liqeni i Ohrit, niveli i të cilit është shumë afër vlerës maksimale, situata e paqëndrueshme në Shkodër mund të përkeqësohet edhe më tepër, për shkak të rritjes së nivelit në hidrocentralin e Fierzës. Qeveria “Gruevski” ende nuk ka marrë një vendim për hapjen e portave të liqenit të Ohrit në Strugë, por nëse ndodh kjo gjë, atëherë niveli i ujërave në kaskadën e Drinit do të shtohet tej mase, pasi Drini i Zi, i cili buron në liqenin e Ohrit, do t’u bashkohej të gjitha ujërave që përfundojnë në hidrocentralin e Fierzës. Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Fatmir Besimi, deklaroi dje, se autoritetet maqedonase aktualisht po monitorojnë nivelin e ujit në Ohër. “është vendosur që nga Ministria e Ekonomisë, Ministria e Ekologjisë dhe Ujërave dhe nga Korporata Elektroenergjetike të monitorohet situata në vend, për të mos lejuar që niveli i ujit në Liqenin e Ohrit të rritet tej mase. Aktualisht, niveli i liqenit të Ohrit ka arritur në 693.75 metra, që nënkupton pikën maksimale të tij. Kjo është norma e përcaktuar përmes marrëveshjes dypalëshe mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Por situata është nën kontroll”, deklaroi ministri Besimi. I pyetur nga gazetarët se a do t’i hapë Maqedonia portat në Strugë, nëse niveli i Ohrit e kalon kuotën e tij maksimale, ministri u përgjigj: “Nuk mund të them se çfarë do të ndodhë tutje. Nuk është marrë ende një vendim lidhur me këtë. Por dua të theksoj se po ndërmerren të gjitha masat që situata të menaxhohet më së miri. Ngjarjet e tilla nuk janë në dorën tonë, ato vijnë si pasojë e ngjarjeve natyrore që s’ mund të kontrollohen. Ne do të përpiqemi ta mbajmë situatën nën kontroll”. Autoritetet maqedonase dhe shqiptare janë në kontakt të vazhdueshëm, në përpjekje për të bërë gjithçka që është e mundur për kontrollimin e saj. “Niveli i ujit vazhdon të jetë në kuotë maksimale, ndërkohë që derdhjet janë minimale. Mbase do të duhet të ketë më shumë derdhje që mos të ketë rritje më të madhe”, - sqaron hidrologu maqedonas Josif Milevski. Për momentin, derdhjet në lumin Drin janë minimale. Përgjatë lumit Drin i Zi në territorin e Maqedonisë ka hidrocentrale, çka bën që uji të kontrollohet edhe për nevojat e prodhimit të energjisë elektrike. Por, siç thonë ekspertët, nëse nivelet e ujërave rriten, siç dhe ka ndodhur në të kaluarën, si pasojë e shkrirjes së dëborës nga mali, atëherë mund të rritet edhe sasia e shkarkimit të ujërave. Megjithatë, duket se moti i keq dhe i ndryshueshëm kësaj here mund të vijë në ndihmë. “Për fat këto ditë, parashikohen reshje të pakta, edhe nëse ka reshje do të jetë dëborë. Kjo gjë ka sjellë qetësimin e prurjeve të ujërave, dhe nëse mbahet kjo tendencë, do të jetë mirë. Maqedonia për momentin nuk është prekur nga reshjet e mëdha, që po shohim në vendet fqinjë”, tha Josif Milevski, hidrolog pranë Entit Meteorologjik. Autoritetet në Shkup thonë se janë në komunikim të vazhdueshëm me ata në Shqipëri, për të koordinuar situatat. Ndërkohë që të martën, mbi 40 vullnetarë janë dërguar në zonat e prekura nga përmbytjet. Ndihma e Maqedonisë konsiston edhe në anije, pompa për thithjen e ujit dhe tenda.
Maqedoni, ekspertët: Shkarkimet në Drin, nuk mund t’i ndalojmë
Ekspertë nga Enti Hidrometeorologjik i Ohrit konsiderojnë se Maqedonia nuk mund t’u përgjigjet kërkesave të Shqipërisë për ndalimin e tërësishëm të ujit për në Drinin e Zi. Disa vende të bregut të liqenit të Ohrit janë përmbytur plotësisht, pasi niveli i ujit ka arritur kotën maksimale të lejuar prej 693,75 metrash. Ndaj, sipas ekspertëve, kjo më shumë do të rriste nivelin e liqenit dhe do të shkaktonte probleme në furnizimin e zakonshëm me energji elektrike, sepse një pjesë e saj prodhohet nga hidrocentralet Shpile dhe Glloboçicë, që gjenden përgjatë lumit Drin i Zi. “Nëse mbyllet Drini i Zi, i cili mundëson rrjedhje të më shumë 50 metra kub uji në sekondë, atëherë me të vërtetë do të ballafaqohemi me probleme”, tha Zdravko Krstanovski, nga Enti Hidrometeorologjik i Maqedonisë. Një tjetër ekspert, Llazo Naumovski, nga Enti Hidrometeorologjik, mendon ndërkohë, se hidrocentralet e Shqipërisë për dallim nga hidrocentralet e Maqedonisë nuk kanë kapacitet për aq sasi uji.