E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRTRSH do të rishohë masterplanin e zonës turistike

13/01/2010  Është prekur zona e gjelbër dhe janë shkelur kushtet turistike në ndërtim Zona turistike në jug të bregdetit të Durrësit do të bëhet objekt i një rishqyrtimi për të vendosur përfundimisht mbi perspektivën e zhvillimit të turizmit. Masterplani që do të shqyrtohet ka në plan të parë ecurinë e ndërtimeve të hotelerisë dhe zhvillimet në këto 15 vitet e fundit.
Zonat që do të rishihen
Shkëmbi i Kavajës, Mali i Robit, Golemi dhe Karpen janë brezi që do të jetë pjesë e gjykimit të specialistëve, të cilët kanë shfaqur edhe shqetësimin për dëmtimin e kurorës së gjelbër si pasojë e keqorientimit nga njësitë e qeverisjes vendore. Në një pjesë të këtyre projekteve të zhvillimit perspektiv masterplanet janë hartuar disa vite më parë, por për shkak të politikave të zhvillimit të turizmit në gjatësinë e bregdetit nga Plepat e Durrësit deri në Karpen të Kavajës është kërkuar rishqyrtim në këndvështrim të ri. Masterplani që përfshin zonën përgjatë bregdetit Golem-Karpen është bërë disa herë objekt debatesh e ndryshimi për shkak të pleksjes së interesave të shumta dhe kjo ka dëmtuar qasjen për një orientim të saktë dhe perspektiv. Fillimisht është saktësuar nëse këtë gjatësi brezi rëre godinat të kishin lartësi kati deri në 4 kate plus papafingo, por realisht ka ndodhur krejt ndryshe. Hapësira e gjelbër është tkurrur deri në limitet më të skajshme, kurse investitorët kanë shkelur në jo pak raste kondicionet turistike të zonës. Për këtë shkak autoritetet që menaxhojnë hapësirat turistike të bregdetit janë detyruar të bllokojnë dhënien e lejeve të ndërtimit dhe lejeve për shesh ndërtimi. Në vendin e quajtur Pishat e Buta në Golem janë prerë qindra e mijëra pisha. Më së shumti KRRTRSH do të ndalet në studimin e masterplanit që kaplon gjatësinë prej 7 km vijë bregdetare nga Përroi i Agait deri në Karpen.
Fati i mëtejshëm i projekteve
Për të shpëtuar rrënimin e mëtejshëm dhe për t’i hapur rrugë ndërtimit të komplekseve të mëdha akomoduese për pushues KRRTRSH do të duhet të vendosë për fatin e mëtejshëm të projekteve. Edhe pse nuk është folur lidhur me fatin e disa pallateve, bizneseve dhe aktiviteteve të ngritura në mënyrë abuzive, ato do të jenë pjesë e shqyrtimit kritik për të hapur rrugën e orientimit perspektiv të vijës bregdetare. Në total bëhet fjalë për studimin e një zone me sipërfaqe prej 960 hektarësh. Këtu janë ndërtuar fshatra turistikë, hotele, motele e vila, por në ngjitur me to janë lartësuar edhe pallate që variojnë nga 5 deri në 7-8 kate duke e shtyrë zonën drejt zhvillimit si zonë e banuar në të gjitha stinët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›