Arrin në 372 numri i HEC-eve të dhëna me koncesion
Qeveria miratoi dje dhënien me koncesion të 12 hidrocentraleve nga Gramshi në Valbonë dhe dy parqe eolike (me erë), njëri në qarkun e Elbasanit e tjetri në qarkun e Gjirokastrës. Për ndërtimin e këtyre 12 HEC-eve dhe dy parqeve të erës do investohen rreth 500 milionë euro dhe do të punësohen mbi 4 mijë vetë
Mbledhja e djeshme e qeverisë ishte mbledhje edhe për energjinë. Në këtë mbledhje u vendos dhënia me konçension e 12 hidrocentralave nga Gramshi në Valbonë dhe dy parqe ere, njëri në qarkun e Elbasanit tjetri në qarkun e Gjirokastres. Për ndërtimin e këtyre 12 HEC-eve dhe dy parqeve të erës do investohen rreth 500 milionë euro dhe do të punësohen rreth 4 mijë vetë. Me këto 12 HEC-e arrin në 372 numëri i hidrocentraleve të dhëna me konçension për ndërtim, nga viti 2007 deri tani. “Për ne energjia është promotor kryesor i zhvillimit të vendit. Shqipëria vend lider në rajon për prodhimin e energjisë ujore është dhe do të mbetet motoja jonë!”, u shpreh kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, këto vepra punësojnë në mënyrë të shpërndarë në të katër anët e vendit deri në zonat më të thella dhe ndryshojnë jetën e atyre komuniteteve, ndërtojnë infrastrukturë lokale dhe me këtë ndryshojnë jetën e atyre komuniteteve. “Sulmet që i janë bërë këtij procesi janë sharlataniste, janë të denja vetëm për bijtë e etërve dhe nuk kanë asgjë të vërtetë. I kërkoj të kontrollojnë çdo koncesion dhe do të gjejnë transparencën më maksimale, edhe aty ku do t’i dalin hallat, dajat, tezet, krushkat e krushqit e tyre, pasi nuk është bërë asnjë diskriminim. Gjëja e fundit dhe më e gabuar që bën është t’i sulmosh unblock. Tani ata nuk shkojnë të marrin kredi në banka. Ne kemi një marrëveshje me bankat dhe jemi përpjekur shumë të krijojmë një nxitje të tyre për kredi, pasi ky është bërë një biznes shumë i leverdishëm. Kushtet e krijuara në Shqipëri, heqja e disa detyrimeve fiskale, krahu i punës kanë bërë që të përgjysmohet koha kthimit të investimit. Këtu qëndron edhe një nga shkaqet pse kjo garë ecën në mënyrë kaq të ethshme”, theksoi kryeministri Berisha.
Qeveria mbështetje Organizatës së Frankofonisë për të kontribuar në stabilizimin e Malit/Në hapje të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Berisha trajtoi kërkesën e Organizatës së Frankofonisë për të kontribuar në stabilizimin e Malit, për të cilën Kryeministri u shpreh se qeveria shqiptare i përgjigjet pozitivisht asaj dhe ofrohet për të dhënë kontribut në kuadër të kësaj organizate, në stabilizimin e gjendjes së këtij vendi afrikan. “Sot kemi dy çështje të rëndësishme. Organizata e Frankofonisë kërkon mbështetje nga vendet frankofone për të kontribuar në stabilizimin e Malit. Rreth një vit më parë, qeveria franceze ndërmori një nga operacionet më të shkëlqyera në rrafshin ushtarak dhe parandaloi me ndërhyrjen e saj të vendosur, sëbashku me mbështetjen e vendeve afrikane, vendosjen në këtë vend të madh, të rëndësishëm, të një regjimi terrorist të dominuar tërësisht nga Al Kaeda lokale. Kjo ndërhyrje efikase ka qenë një kontribut madhor në paqen e stabilitetin që republika franceze dha në rajonin e Afrikës. Është e domosdoshme që ne të bashkohemi me vendet e tjera frankofone e të japim kontributin tonë. Ka një problem që duhet ta zgjidhim, sepse policët apo oficerët që do të dërgohen kërkohen mundësisht frankofonë, por që mund të fillojë një kurs i shpejtë me ata që kanë njohuri nga shkolla. Ne kemi qenë në Çad në kuadrin e OKB-së, mund të jemi edhe këtu në kuadrin e frankofonisë, një organizatë në të cilën Shqipëria aderon për shkak të një vokacioni të qartë frankofon që ekziston në traditën kulturore të kombit tonë. Nga ana tjetër, ky është një rajon shumë nevralgjik në luftën kundër terrorizmit. Aty janë gërshetuar rrymat më të egra të Al Kaedës dhe terrorizmit dhe në këtë kontekst, konsolidimi i një rendi demokratik në Mali është një arritje e madhe për të gjithë Afrikën. Ndaj do t’i përgjigjemi pozitivisht. Natyrisht, qeveria që vjen do të jetë ajo që do të zbatojë apo vërë në jetë këtë vendim, por unë them se në vija të përgjithshme politika e jashtme mbetet stabël, me disa ndryshime të vogla apo me disa teprime të vogla, teprime që janë të pashmangshme kur ka diletantizëm dhe janë pjesë e kontornos”- tha kryeministri.