Arritja: Gjendet vaksina që do të parandalojë SIDA-n
Për herë të parë, një vaksinë eksperimentale ka parandaluar infektimin me virus të SIDA-s, çka përbën edhe një ngjarje të jashtëzakonshme për mjekësinë. Dështimet e njëpasnjëshme në punën shkencore kishin çuar në njëfarë humbjeje shprese në lidhje me zbulimin e një vaksine të tillë shpëtimtare. Sipas OKB-së, ky ishte një rezultat i shkëlqyer që fuste një "dritë shprese" në fushën e kërkimeve të gjetjes së vaksinave, edhe pse sipas kërkuesve do të kalojnë disa vjet para se një vaksinë të jetë e gatshme për t‘u përdorur në masë. Kjo vaksinë është një kombinim mes dy vaksinave të mëparshme që rezultuan të pasuksesshme dhe është eksperimentuar te disa vullnetarë në Tajlandë. Edhe pse bëhet fjalë për një përfitim modest, për shkencëtarët është hera e parë që mund të thuhet se ka shpresa shumë të mëdha për të ardhmen në këtë drejtim. SIDA është një nga sëmundjet më të rënda të dhjetëvjeçarëve të kaluar. Sipas statistikave, çdo ditë me këtë sëmundje infektohen 7500 njerëz në të gjithë botën dhe vetëm në vitin 2007 kanë humbur jetën 2 milionë njerëz. Rezultatet e kërkimit të fundit kanë vërtetuar gjithë deklaratat e skeptikëve se një vaksinë e tillë ishte e pamundur për t‘u krijuar dhe për t‘u vënë në shërbim të njerëzve të sëmurë. Bëhet fjalë për një studim të ndërmarrë prej kohësh nga shkencëtarët dhe që ka pasur deri më tani një kosto prej 100 milionë dollarësh. Detaje më të hollësishme për këtë vaksinë do të jepen në tetor në Paris. Që nga viti 1983, kur u identifikua SIDA si sëmundje seksualisht e transmetueshme, kjo ishte përpjekja e tretë e përmasave të mëdha që është bërë për të gjetur një vaksinë. Puna ka qenë e madhe dhe shpeshherë zhgënjyese, por më në fund është arritur një rezultat që jep një shpresë shumë pozitive për të ardhmen. Prodhimi në masë i vaksinave dhe shpërndarja e tyre do të diskutohet mes qeverive të vendeve të ndryshme, por ndërkohë do të ndërmerren edhe hapa të reja për të vazhduar studimin dhe arritjen e një rezultati final në një kohë sa më të shkurtër. Studimi është bërë në Tajlandë, që është një nga vendet me numrin më të madh të të infektuarve në botë.